Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një vizite të paparalajmëruar në Izrael të hënën, raportoi Axios, duke cituar dy burime të informuara.
Reuters nuk mundi ta konfirmonte menjëherë takimin, por Hegseth deklaroi në një postim në rrjetet sociale se kishte vizituar ushtarë amerikanë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore (Central Command), e cila mbulon Lindjen e Mesme, Afrikën verilindore dhe pjesë të Azisë.
Pentagoni nuk pranoi të komentonte, ndërsa ambasada e Izraelit në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Lajmi për udhëtimin e Hegseth vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump shprehu mbështetjen për Netanyahu-n në zgjedhjet parlamentare të javës së ardhshme në Izrael – votimi i parë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, i cili tronditi vendin dhe e zhyti Lindjen e Mesme në kaos, ndërsa Izraeli hyri në luftë në Gaza, Liban dhe Iran.
Sipas sondazheve, koalicioni fetar-nacionalist i Netanyahu pritet të humbasë shumicën qeverisëse, megjithëse edhe opozita mund ta ketë të vështirë të formojë qeverinë.
Megjithatë, zëvendës-presidenti amerikan JD Vance refuzoi të shprehte mbështetje për Netanyahu-n në një intervistë të hënën, duke thënë se nuk po përfshihet në zgjedhjet izraelite.
“Unë mbështes kandidatët amerikanë; fokusi im është te zgjedhjet e mesmandatit”, tha Vance – i cili më herët gjatë këtij viti udhëtoi në Budapest dhe shprehu mbështetje për Viktor Orbanin në zgjedhjet hungareze – në një intervistë për median dixhitale 2WAY.
“Nuk jam kundër tij, por as nuk e mbështes; nuk po përfshihem në zgjedhjet izraelite”, u shpreh Vance. /Telegrafi/






