Mësuesi nga Kosova përballet me kancerin, familja kërkon ndihmë për operacionin në Cyrih
Familja e Xhevat Muratit, 67-vjeçarit nga Kosova, po përballet me një sfidë të rëndë financiare për t’ia mundësuar trajtimin kundër kancerit në Spitalin Universitar të Cyrihut.
Për operacionin, familjes i është kërkuar një depozitë prej 98 mijë e 100 frangash zvicerane.
Rasti i mësuesit të pensionuar nga Kosova është bërë i ditur nga mediumi zviceran Blick, i cili raporton se familja është detyruar të mobilizojë të afërmit, miqtë dhe të njohurit për të siguruar shumën e nevojshme për ndërhyrjen kirurgjikale, transmeton Telegrafi.

Murati, i cili për shumë vite ia kushtoi jetën edukimit të fëmijëve, po përballet me një sëmundje të rëndë, e cila, sipas raportimit, është përhapur shpejt edhe pas dy operacioneve të mëparshme.
Pasi mjekët në Kosovë u kishin thënë familjarëve se mundësitë e trajtimit ishin të kufizuara, mbesa e tij, Besa Berisha-Murati, kontaktoi Spitalin Universitar të Cyrihut, ku u pa mundësia e kryerjes së një operacioni të mëtejshëm.
Sipas Blick, për ekzaminimet fillestare familja kishte paguar paraprakisht 8 mijë franga. Më pas, asaj iu kërkua të dëshmonte pagesën e një depozite prej 98 mijë e 100 frangash për operacionin.
Meqë Murati nuk ka sigurim shëndetësor zviceran, shpenzimet e trajtimit duhet të mbulohen nga familja. Për të siguruar shumën brenda afatit, familjarët mblodhën para nga rrethi i tyre, por u detyruan të merrnin hua edhe një shumë të konsiderueshme.
Sipas raportimit, spitali kishte sqaruar se shuma e kërkuar ishte depozitë paraprake dhe jo çmim përfundimtar, ndaj kostot mund të rriteshin më tej.
Për të ndihmuar në përballimin e shpenzimeve dhe për të shmangur një barrë të madhe borxhesh pas trajtimit, Besa Berisha-Murati ka nisur një fushatë për mbledhjen e donacioneve në platformën GoFundMe.
Në kohën kur Blick publikoi artikullin, fushata kishte mbledhur pak më shumë se 11 mijë franga nga rreth 160 donacione, ndërsa objektivi fillestar ishte 50 mijë franga.
Kjo shumë po vazhdon të rritet edhe sot e tutje.
Familja shpreson në solidaritetin e njerëzve për ta ndihmuar Xhevat Muratin të marrë trajtimin e nevojshëm dhe të ketë mundësinë të rikuperohet pa mbetur nën peshën e borxheve./Telegrafi/





