Messi porosit jaht luksoz prej 9 milionë eurosh, por synon të fitojë edhe para me të

Sport

Ylli argjentinas do ta shfrytëzojë jahtin e ri edhe për biznes, duke e përfshirë me qira në flotën e tij jaht luksoz me dy trupa. Lionel Messi ka porositur një jaht luksoz me dy trupa të modelit Ultima 88, të prodhuar nga kompania polake Sunreef Yachts. Porosia është bërë e ditur nga vetë prodhuesi, ndërsa […]

Madhësia e shkronjave

Ylli argjentinas do ta shfrytëzojë jahtin e ri edhe për biznes, duke e përfshirë me qira në flotën e tij jaht luksoz me dy trupa.

Lionel Messi ka porositur një jaht luksoz me dy trupa të modelit Ultima 88, të prodhuar nga kompania polake Sunreef Yachts. Porosia është bërë e ditur nga vetë prodhuesi, ndërsa vlera e mjetit lundrues vlerësohet nga mediat gjermane në rreth 8-9 milionë euro.

Jahti luksoz i ri i yllit argjentinas po ndërtohet në kantierin detar të Sunreef në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai do të jetë 26.8 metra i gjatë dhe do të ofrojë hapësirë dhe komoditet për pushime luksoze në det.

Jahti do të ketë katër kabina për mysafirët, si dhe një suitë kryesore për pronarin. Ai do të pajiset me dy motorë, secili me nga 1.000 kuaj fuqi. Zona e quajtur Ocean Lounge do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë në ujë për not dhe sporte ujore, ndërsa një garazh i veçantë do të shërbejë për ruajtjen e pajisjeve për ski në ujë. Sipas mediave polake, shpejtësia maksimale e këtij modeli mund të arrijë deri në 26 nyje.

Çmimi i saktë që Messi do të paguajë nuk është bërë publik, ndërsa prodhuesi nuk ka njoftuar as datën e dorëzimit. Megjithatë, gazeta gjermane Bild vlerëson se një jaht luksoz i tillë kushton nga 8-9 milionë euro.

Messi synon të përfitojë edhe financiarisht nga jahti i ri. Ai pritet ta përfshijë atë në flotën e tij MIM Ocean, me bazë në Ishujt Balearikë. Sipas Bild, përmes kësaj flote dhe në bashkëpunim me kompaninë spanjolle Med Cat Yachts, katamaranët luksozë jepen me qira në zonat turistike të Majorkës, Ibizës dhe Formenterës.

Qiraja për një javë, me ekuipazh të përfshirë, kushton nga 78.000 deri në 95.000 euro, varësisht nga sezoni. Kështu, përveç përdorimit personal dhe pushimeve me familjen, jahti i ri mund të bëhet pjesë e aktivitetit të biznesit të argjentinasit.

Messi ka folur edhe përmes një deklarate të publikuar nga prodhuesi, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me Sunreef Yachts.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të bëhem pjesë e familjes Sunreef. Mua dhe familjes sime gjithmonë na ka pëlqyer të kalojmë kohë në det, sa herë që na është dhënë mundësia. Mezi pres ta provoj Ultima 88 dhe ta shijoj me familjen time”, ka deklaruar Messi.

Argjentinasi nuk është sportisti i vetëm që ka zgjedhur këtë prodhues për një jaht luksoz. Në mesin e emrave të njohur që lidhen me jahtet e Sunreef janë edhe futbollisti Robert Lewandowski, tenistët Rafael Nadal dhe Carlos Alcaraz, si dhe ish-pilotët e Formula 1, Fernando Alonso dhe Nico Rosberg. /Telegrafi/