E djathta e re thotë se po mbron Perëndimin. Por, nga një këndvështrim i caktuar, duket pagane.
Pak pasi Marco Rubio mbajti një fjalim në Greqi duke lartësuar virtytet e qytetërimit perëndimor, administrata Trump njoftoi se synon të transmetojë drejtpërdrejt në internet ekzekutimin e një terroristi. Ky mund të jetë paradoksi qendror i nacionalizmit modern. Një lëvizje që ndodhet në prag të pushtetit në mbarë Evropën është e vendosur jo vetëm ta ruajë qytetërimin, por edhe ta shpëtojë dhe ta restaurojë atë – madje edhe me mjete të paqytetëruara.
Rubio një ditë do të lexohet si një tekst bazik. Nën hijen e Akropolit, ai e tregoi një histori interesante sipas së cilës grekët shpikën “mendjen perëndimore” – kureshtjen, arsyen dhe pasionin e saj për përsosmëri – vetëm që “pasardhësit” e tyre, domethënë ne, ta flaknim tutje.
Teksa të lashtët do të “ndërtonin lart” në kërkim të virtytit, ne “ndërtojmë poshtë” me urdhër të mediokritetit, të përndjekur nga ndjenja e fajit. Ne e kemi shpërdoruar pasurinë tonë, kemi hapur kufijtë dhe ua kemi kaluar të tjerëve qeverisjen tonë, ndërsa qytetërimet e tjera – kineze apo myslimane, fise që mendojnë në terma qytetërues – zënë vakumin.
Çfarë nënkupton ai? Epo, përfytyroni kryepeshkopin e Kanterberit duke qëndruar pranë një gruaje me vel. Nga njëra anë, moderniteti liberal; i edukuar, i çliruar, por i mbushur me vetëdyshim. Nga ana tjetër, një ideologji e importuar që shfrytëzon tolerancën tonë; për shkak se atyre u intereson në mënyrën që neve nuk na intereson, me gjasë do të fitojnë falë këmbënguljes.
Kur politologu Samuel P. Huntington paralajmëroi për një “përplasje qytetërimesh” tri dekada më parë, supozimi i përhapur ishte se kjo do të ndodhte në kufijtë e perandorisë sonë. Sot ajo gjendet brenda mureve të Pallatit Lambeth, dhe Dama Sarah dukej e dyshimtë sikur po nënshkruante kushtet e dorëzimit.
Teza e Huntingtonit ishte parashikuese. Ajo kishte edhe kritikët e saj. Disa vunë në dukje se, nëse supozohet se qytetërimet janë gjithmonë në konflikt, siç lë të kuptohet Rubio, atëherë hedh zaret kundër bashkëpunimit: përgatitja për luftë bëhet profeci vetëpërmbushëse. Ironia tragjike e administratës Trump është se ajo u zgjodh për ta “vënë Amerikën të parën” dhe për t’u përqendruar te kostoja e jetesës, megjithatë obsesioni i saj me Iranin çoi në luftë dhe inflacioni që pasoi e ka rrënuar ekonominë.
Rubio e justifikoi agresivitetin e shefit të tij duke iu referuar parimit të mbrojtjes parandaluese: “Ose do të zgjedhim të veprojmë tani, ose do ta humbasim mundësinë për të zgjedhur që të veprojmë”. Por, kërcënimi nga Irani ishte i dyshimtë; në rastin e Venezuelës, mungonte; dhe, në debatin qesharak për Grenlandën, ishte një pjellë e imagjinatës.
Liberalët thonë se Trumpi, një figurë dionisiane, nuk po e mbron qytetërimin perëndimor. Ai po përpiqet t’i sigurojë vendit të tij fitime të shpejta duke monopolizuar burimet, duke rikthyer industrinë brenda vendit dhe duke shtyrë në mënyrë agresive interesat e sektorit të teknologjisë në Evropë – dhe, barazimi i këtij interesi të ngushtë e të vrazhdë me identitetin perëndimor, nga Homeri te Gëte, është fyes për evropianët.
Rubio e përfytyron Perëndimin si fetar dhe kapitalist, monolitik e të rrethuar (siç do të donte ai) me kufij të pakalueshëm. Por, njerëzimi nuk është zhvilluar si periferi e rregullt e Edenëve të rrethuar me gardhe të larta. Qytetërimet takohen, bashkëbisedojnë, luftojnë dhe skalisin njëri-tjetrin – dhe brenda kufijve zakonisht ka kundërkulturë. Për çdo Henry Ford, ka Karl Marx ose Sigmund Freud, dhe trazirat që kërcënojnë ta shkatërrojnë Francën sot janë pashmangshmërisht franceze – shprehja e fundit e traditës revolucionare të themeluar në vitet 1790.
Me pak fjalë, shumëçka nga ato që e djathta nacionaliste urren tek Evropa janë në thelb evropiane, një trashëgimi e kulturës së kërkimit për çfarë Rubio falënderoi Athinën e Lashtë se e kishte krijuar. Në rregull, ai përmendi Platonin dhe Aristotelin. Por, ç’të themi për cinikët të cilët hodhën poshtë konvencionin dhe mungesën e autenticitetit, që dilnin lakuriq, hanin nga kazanët e plehrave dhe bënin seks në rrugë? Kur kritikët e tij i hodhën një kockë filozofit Diogjen, sikur të ishte qen, Diogjeni ua ktheu fyerjen duke urinuar mbi ta. Grekët e shpikën pankun.
Duke tërhequr një vijë të drejtë nga Athina deri te kulmi ekonomik dhe ushtarak i Amerikës, Rubio jo vetëm që i lëmon pjesët joortodokse ose të shëmtuara të historisë sonë – pa marrë parasysh se Athina ishte shoqëri skllavopronare – por, i bën edhe krishterimit një shërbim të keq. Karakteri amerikan, i tha ai audiencës së tij, lindi në Greqi, “u formua nga Roma, u pagëzua në krishterim”, u formësua nga liria angleze e kështu me radhë. Mund të nxirret përfundimi se krishterimi nuk është “alfa dhe omega” e Perëndimit, por një hap mes shumë të tjerëve në zhvillimin e tij historik.
Kjo është e dukshme në mënyrën se si Rubio e ngatërroi idenë e martirizimit të mishëruar nga heronjtë e lashtë të gatshëm të “vdisnin për një kauzë të denjë për besnikërinë [e tyre]”. Mendoni për Akilin, tha ai, i cili zgjodhi të luftonte në Trojë dhe “të vdiste në ndjekje të lavdisë së përjetshme”.
Por, megjithëse fjala martir, që do të thotë “dëshmitar”, është greke, kuptimi i krishterë është paksa i ndryshëm: njeriu vdes duke imituar Jezuin e gozhduar në kryq, jo si një luftëtar për lavdi personale, por për të dëshmuar se Ai është Biri i Perëndisë. Besimi i këtij lloji nuk është “një gjë”, është “gjithçka”. Megjithëse sot e mendojmë krishterimin si batanije ngushëlluese, dikur ai ishte, dhe ende duhet të jetë, një forcë trazuese në jetën e individëve dhe të shoqërisë. Tregtia transatlantike e skllevërve, për shembull, u shpall e paligjshme falë një fushate të protestantëve ungjillorë britanikë.
Në të vërtetë, kërkesat etike të krishterimit shpesh bien ndesh me atë që konservatorët këmbëngulin se është e nevojshme për të shpëtuar qytetërimin – që nga kritikat e Vatikanit ndaj inteligjencës së parregulluar artificiale e deri te dëbimi i refugjatëve. Rubio është katolik. Kritiku më i zëshëm në botë i ekzekutimit të planifikuar është Papa. Si ta pajtojmë këtë kundërthënie?
Debatet për dënimin me vdekje janë të lodhshme dhe të mërzitshme: njeriu që është caktuar për ekzekutim, Nidal Hasan, vrau 13 njerëz dhe pa dyshim është përbindësh.
Por, është barbarizëm ta kthesh vdekjen në teatër. Kjo ia mohon të burgosurit dinjitetin. Do të përdoret si propagandë nga armiku. Me siguri do të nxisë një kënaqësi (Anglia i ndaloi ekzekutimet publike, pjesërisht sepse shumë njerëz i shijonin ato). Dhe, cila është gjëja e parë që themi kur duam ta vëmë përballë egërsinë e mullahëve iranianë me qytetërimin tonë gjoja dashamirës? “Ata i varin njerëzit në publik”. Epo, nëse veprojmë si ata, bëhemi si ata, dhe arsyetimi moral i projektit nacionalist shembet.
Një sondazh i fundit i institutit studimor Theos zbulon se votuesit britanikë, pikëpamjet e të cilëve përputhen më së shumti me etiketën “nacionalist i krishterë” – domethënë që dëshirojnë të na mbrojnë nga ndikimi i huaj – janë ata që kanë më pak gjasa të shkojnë në kishë. Dyshoj se ky grup e ngatërron të qenët i krishterë me të qenët i bardhë. Dhe, megjithëse Rubio në asnjë mënyrë nuk bën pjesë në këtë kategori, dhe megjithëse përpjekja më e gjerë për të siguruar kufijtë tanë dhe për të nxitur një dashuri të shëndetshme ndaj identitetit perëndimor meriton të çmohet, ka raste kur kam frikë se e djathta e re është greke si në aspektin etik ashtu edhe historik.





