OnePlus ka konfirmuar disa nga specifikat kryesore të ekranit të telefonit të ardhshëm OnePlus 16, i cili do të pajiset me një panel BOE X4 LTPO OLED, rezolucion 1.5K dhe frekuencë rifreskimi deri në 185 Hz.
Megjithatë, frekuenca maksimale prej 185 Hz do të jetë e disponueshme vetëm gjatë lojërave të mbështetura. Në përdorimin e përditshëm, ekrani do të funksionojë me frekuencë deri në 165 Hz, ndërsa 20 Hz shtesë do të mund të aktivizohen në tituj të caktuar, si Arena Breakout, Nizhan: Future, Naruto Mobile dhe Peace Elite.

Kompania konfirmoi gjithashtu se paneli përdor materialin ndriçues X4 të BOE-së dhe mund të arrijë ndriçim minimal prej vetëm 1 nit, duke e bërë më të përshtatshëm për përdorim në ambiente me pak dritë. OnePlus pretendon se ekrani ka edhe konsum të ulët të energjisë, të krahasueshëm me atë të një paneli me frekuencë rifreskimi prej 120 Hz, transmeton Telegrafi.
Për mbrojtjen e syve, pajisja do të përfshijë disa funksione të dedikuara, mes tyre teknologjinë TÜV Rheinland Smart Eye Protection 6.0. Sipas raportimeve, ekrani do të ketë korniza shumë të holla, me trashësi vetëm 1.15 milimetra, të realizuara përmes procesit të prodhimit LIPO (Low-Injection Pressure Overmolding).
OnePlus 16 pritet të pajiset edhe me disa çipa të dedikuar për përmirësimin e funksionimit të ekranit, reagimin ndaj prekjes dhe lidhjen. Këto komponentë synojnë të përmirësojnë përvojën e përdorimit, veçanërisht gjatë lojërave.
Sa i përket pjesës tjetër të specifikave, telefoni pritet të prezantohet fillimisht në Kinë me procesorin Snapdragon 8 Elite Extreme Gen 6, bateri me kapacitet prej 9,000 mAh dhe kamerë kryesore prej 200 megapikselësh. Sistemi fotografik do të përfshijë gjithashtu një kamerë telefoto prej 50 megapikselësh, me zmadhim optik 3x. /Telegrafi/





