Abbas shtyn zgjedhjet parlamentare palestineze deri në shtator të vitit 2027

Bota

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka shtyrë zgjedhjet parlamentare deri më 11 shtator 2027, njoftoi të shtunën agjencia palestineze e lajmeve Wafa. Sipas raportimit, Abbas ka nxjerrë një dekret që parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën datë. Presidenca palestineze e ka arsyetuar vendimin me “pengesat e sigurisë, logjistikës dhe rrethanave në terren”, […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka shtyrë zgjedhjet parlamentare deri më 11 shtator 2027, njoftoi të shtunën agjencia palestineze e lajmeve Wafa.

Sipas raportimit, Abbas ka nxjerrë një dekret që parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën datë. Presidenca palestineze e ka arsyetuar vendimin me “pengesat e sigurisë, logjistikës dhe rrethanave në terren”, të cilat, sipas saj, pamundësojnë krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve.

Më vonë, Wafa raportoi se Komiteti Ekzekutiv i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), e cila përfaqëson zyrtarisht popullin palestinez, e kishte miratuar shtyrjen. Sipas organizatës, kushtet kanë “ndryshuar rrënjësisht” që nga shpallja e zgjedhjeve.

Zgjedhjet parlamentare ishin planifikuar më herët për 28 nëntor të këtij viti, ndërsa Bashkimi Evropian kishte shprehur mbështetje për mbajtjen e tyre sipas këtij afati, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, kishte deklaruar në fillim të kësaj jave se zgjedhjet do të ofronin “një mundësi të vonuar prej kohësh për të ripërtërirë legjitimitetin e institucioneve palestineze”.

“Palestinezët kanë të drejtë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, kishte theksuar Kallas.

Edhe në shtator, komisionerja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Šuica, kishte mirëpritur vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve para përfundimit të vitit. Ajo i kishte cilësuar ato si një moment të rëndësishëm demokratik dhe kishte theksuar se një proces i drejtë, i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për forcimin e institucioneve palestineze.

Ndërkohë, të premten, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, e akuzoi Abbasin se po “mashtron komunitetin ndërkombëtar duke anuluar sërish zgjedhjet e premtuara”, në kohën kur po qarkullonin zëra për shtyrjen e tyre.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në territoret palestineze u mbajtën në vitin 2006, kur lëvizja islamiste Hamas doli fituese, duke mposhtur partinë Fatah. /Telegrafi/