Pavarësia editoriale, presionet politike dhe ekonomike, ndikimi i Inteligjencës Artificiale dhe roli në rritje i algoritmeve në shpërndarjen e informacionit ishin ndër temat kryesore të konferencës rajonale për edukimin medial, e cila u mbajt më 7 tetor 2026 në Beograd, me pjesëmarrjen e gazetarëve, redaktorëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë.
Konferenca “EU – Western Balkans Media Literacy Conference 2026”, me temën qendrore “Under Pressure: What It Takes to Keep Reporting the Truth” (Nën presion: Çfarë duhet për të vazhduar raportimin e së vërtetës), u mbajt në hapësirat e “Europe House” në Beograd, duke sjellë në vëmendje sfidat me të cilat përballen mediat në ruajtjen e pavarësisë dhe besueshmërisë së tyre.
Aktiviteti u hap me fjalën e ambasadorit të Bashkimit Evropian dhe shefit të Delegacionit të BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, i cili theksoi rëndësinë e pavarësisë editoriale si një prej shtyllave kryesore të besimit të qytetarëve në media.
Ai nënvizoi se gazetarët duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë profesionin e tyre në kushte të sigurta dhe pa ndërhyrje, ndërsa institucionet kanë përgjegjësi të krijojnë një mjedis që garanton lirinë e shprehjes dhe të informimit.

Sipas tij, përgjegjësia për ruajtjen e pavarësisë editoriale u takon edhe vetë gazetarëve dhe drejtuesve të mediave, të cilët duhet t’u rezistojnë presioneve politike, ekonomike dhe ndikimeve të tjera.
Në diskutimet për presionet ndaj mediave, gazetarja e pavarur nga Turqia, Barçın Yinanç, ndau përvojat e saj lidhur me sulmet ndaj gazetarëve gjatë raportimit për tema të ndjeshme shoqërore.
Ajo përmendi rastet kur publikimet për komunitetin LGBT në median ku kishte punuar ishin përballur me reagime dhe akuza se përbënin propagandë kundër familjes.
Yinanç theksoi se qëndrueshmëria financiare është ndër kushtet themelore për ruajtjen e pavarësisë editoriale, duke ngritur nevojën për mekanizma mbështetës dhe fonde të posaçme që do t’u mundësonin mediave të funksiononin pa varësi nga interesat politike dhe ekonomike.
Përvoja të ngjashme u prezantuan edhe nga përfaqësues të mediave të tjera.
Dumitru Tira, themelues i grupit medial moldav Realitatea, tregoi se organizata e tij kishte marrë kredi për të blerë agjencinë më të vjetër kombëtare të lajmeve, me qëllim që të parandalonte marrjen e saj nga një oligark në arrati përpara zgjedhjeve.
Ai theksoi se mediat mund të bashkëpunojnë me institucionet për shërbime të caktuara teknike, por një bashkëpunim i tillë nuk duhet të ndikojë në përmbajtjen editoriale.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua edhe manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në hapësirën informative, të njohur si FIMI (Foreign Information Manipulation and Interference).
Ekspertët paralajmëruan se lufta kundër dezinformimit nuk duhet të shërbejë si arsyetim për kufizimin e lirisë së medias apo vendosjen e kontrollit shtetëror mbi portalet informative.
Aleksandra Temenugova, nga Instituti i Studimeve të Komunikimit në Shkup, theksoi se liria e shprehjes duhet të mbetet parim themelor, ndërsa institucionet duhet të jenë transparente në identifikimin dhe trajtimin e manipulimeve informative.
Ajo vuri në dukje se jo çdo informacion i pasaktë është domosdoshmërisht i paligjshëm, ndërsa edhe informacionet e sakta mund të përdoren në mënyrë manipuluese përmes nxjerrjes nga konteksti.
“Gazetaria nuk është krim kundër shtetit”, ishte mesazhi i saj gjatë diskutimit.
Ndërkaq, Kristina Voko, drejtoreshë ekzekutive e BIRN Albania, paralajmëroi se përqendrimi i tepruar te ndikimet e jashtme mund të lërë në hije problemet e brendshme të mediave, përfshirë përqendrimin e pronësisë, ndikimin politik dhe mungesën e transparencës.
Ajo solli si shembull procesin e hartimit të strategjisë kundër ndërhyrjeve të huaja informative në Shqipëri, gjatë të cilit organizatat e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura kishin kundërshtuar propozimet fillestare për regjistrimin dhe kontrollin shtetëror të portaleve.
Sipas të dhënave që prezantoi, gjashtë muaj pas miratimit të strategjisë, asnjë nga masat e parashikuara nuk ishte zbatuar, ndërsa më shumë se 70 për qind e institucioneve të përfshira nuk kishin caktuar persona përgjegjës për zbatimin e saj.
Voko iu referua edhe një ankete të Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, sipas së cilës 70 për qind e gazetarëve të anketuar kishin përjetuar sulme të koordinuara ose fushata dezinformimi, ndërsa 40 për qind kishin zbutur ose braktisur histori investigative nga frika e pasojave.
Një vëmendje e veçantë gjatë konferencës iu kushtua ndikimit të Inteligjencës Artificiale në gazetari, në panelin “AI as Journalism’s Tool and Disinformation’s Weapon” (Inteligjenca Artificiale si mjet i gazetarisë dhe armë e dezinformimit).
Panelistët diskutuan mundësitë që ofron kjo teknologji për përpunimin e dokumenteve, analizimin e të dhënave, transkriptimin e intervistave dhe krijimin e përmbajtjeve multimediale, por edhe rreziqet që lidhen me saktësinë dhe transparencën.
Semir Mujkiq, kryeredaktor në BIRN Bosnjë e Hercegovinë, tregoi se qëndrimi i tij ndaj përdorimit të Inteligjencës Artificiale kishte ndryshuar ndjeshëm gjatë një viti.
Ai tha se fillimisht kishte qenë skeptik, nga frika se gazetarët mund t’i përdornin këto mjete për të përmbledhur dokumente pa i lexuar të plota, duke humbur informacione të rëndësishme.
Megjithatë, përvoja praktike e kishte bindur për potencialin e teknologjisë, të cilën e cilësoi si një nga mjetet më të dobishme që ka marrë gazetaria.
Mujkiq përmendi përdorimin e Inteligjencës Artificiale për automatizimin e detyrave teknike, përfshirë organizimin e orareve të gjykimeve dhe seancave dëgjimore, duke theksuar se kjo u mundëson gazetarëve të përqendrohen më shumë në raportim dhe hulumtim.
Ai nënvizoi se çdo informacion i prodhuar ose përpunuar përmes Inteligjencës Artificiale duhet të verifikohet dhe se teknologjia mbetet vetëm një mjet ndihmës, jo zëvendësim i gazetarit.
Arta Berisha, nga Spiranca Institute, trajtoi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në identitetin profesional të gazetarëve dhe mënyrën se si ata e përjetojnë përdorimin e saj në redaksi.
Ajo theksoi se, ndonëse teknologjia mund t’ua lehtësojë gazetarëve detyrat e përditshme, njëkohësisht mund të krijojë ndjesinë se ata nuk janë më plotësisht pjesë e procesit të ndërtimit të historisë gazetareske.
Berisha theksoi rëndësinë e transparencës, duke vlerësuar se mediat duhet ta informojnë publikun kur përdorin Inteligjencën Artificiale në prodhimin e përmbajtjeve.
Ajo ngriti gjithashtu nevojën për përshtatjen e udhëzuesve dhe standardeve profesionale me rrethanat specifike të rajonit, duke vënë në dukje se praktikat e hartuara mbi përvojat e demokracive perëndimore jo gjithmonë u përgjigjen realiteteve lokale të gazetarisë.
Ndërkaq, gazetari i pavarur Mateja Agatonoviq ngriti shqetësimin për mungesën e transparencës në përdorimin e IA-së nga mediat serbe.
Ai theksoi se, ndryshe nga disa media ndërkombëtare që i etiketojnë përmbajtjet e krijuara pjesërisht me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, kjo praktikë mbetet pak e dukshme në Serbi.
Në një tjetër diskutim, vëmendja u përqendrua te ndikimi i rrjeteve sociale dhe algoritmeve në shpërndarjen e informacionit dhe ruajtjen e integritetit editorial.
Pjesëmarrësit vlerësuan se rrjetet sociale po e ndryshojnë mënyrën se si qytetarët konsumojnë lajmet, duke bërë që gjithnjë e më shumë përdorues të informohen përmes përmbajtjeve që u shfaqen në platformat digjitale, në vend që t’i vizitojnë drejtpërdrejt portalet informative.
Geri Emiri, nga media shqiptare Amfora, theksoi se redaksitë duhet t’u përshtaten formateve të reja të komunikimit, por pa e humbur identitetin profesional dhe pa u shndërruar në faqe argëtimi që synojnë vetëm shikueshmërinë.
Ai vuri në dukje se, megjithëse algoritmet ndikojnë në shpërndarjen e përmbajtjeve, përgjegjësia për verifikimin e informacioneve dhe cilësinë e gazetarisë mbetet te redaksitë.
Ndërkaq, Marko Miletiq, nga media serbe Mašina, tregoi se përshtatja e përmbajtjeve në formate më të shkurtra dhe video shpjeguese kishte ndihmuar në zgjerimin e audiencës së medias së tij në rrjetet sociale.
Megjithatë, ai theksoi se redaksitë nuk kanë kontroll mbi algoritmet dhe rregullat e platformave, duke mbetur të ekspozuara ndaj ndryshimeve që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shtrirjen e përmbajtjeve të tyre.
Diskutimet nxorën në pah edhe presionin në rritje mbi redaksitë e vogla, ku gazetarët, përveç raportimit, duhet të prodhojnë video, podkaste, infografika dhe materiale të përshtatura për platforma të ndryshme.
Filip Stojanovski, nga Fondacioni Metamorphosis në Maqedoninë e Veriut, theksoi se tregjet e vogla mediale kanë ndikim të kufizuar përballë kompanive globale të teknologjisë, vendimet e të cilave shpesh udhëhiqen nga interesat komerciale.
Sipas tij, përafrimi i legjislacionit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal mund të kontribuojnë në rritjen e përgjegjësisë së platformave.
Gjatë konferencës u diskutuan gjithashtu rëndësia e edukimit medial, verifikimi i fakteve dhe nevoja që redaksitë të zhvillojnë kanalet e tyre të komunikimit, për të zvogëluar varësinë nga platformat sociale.
Në kuadër të aktivitetit u trajtuan edhe kapacitetet për luftimin e manipulimit të huaj të informacionit, ndërsa në program ishte përfshirë prezantimi i analizës së tregut medial nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Konferenca u përmbyll me hapjen e një ekspozite multimediale kushtuar sigurisë së gazetarëve në rajon, të organizuar në bashkëpunim me organizatat ANEM dhe NUNS.
Nga diskutimet u theksua se gazetaria në Ballkanin Perëndimor përballet me sfida të ndërlidhura, që kërkojnë jo vetëm përshtatje me zhvillimet teknologjike, por edhe forcim të pavarësisë editoriale, qëndrueshmërisë financiare dhe sigurisë së gazetarëve.
Në një mjedis ku Inteligjenca Artificiale dhe algoritmet po ndryshojnë mënyrën e prodhimit dhe shpërndarjes së lajmeve, verifikimi i fakteve, transparenca dhe përgjegjësia ndaj publikut mbeten elemente thelbësore për ruajtjen e besueshmërisë së medias./Telegrafi/





