Kompanitë e lidhura me familjen Trump marrin mbi 6 miliardë dollarë nga qeveria amerikane.
Kompanitë e mbrojtjes dhe teknologjisë, në të cilat kanë investuar djemtë e presidentit amerikan, Donald Trump, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, kanë marrë ose u janë premtuar më shumë se 6 miliardë dollarë në kontrata nga qeveria amerikane, sipas një analize të ABC News.
Rasti më i fundit është kompania e mbrojtjes Anduril, në të cilën fondi investues 1789 Capital, i lidhur me Donald Trump Jr., zotëron një pjesë të konsiderueshme.

Administrata Trump ka njoftuar 2.9 miliardë dollarë mbështetje nga Marina amerikane për një fabrikë të re të Anduril për prodhimin e nëndetëseve në Maryland.
Anduril është një prej disa kompanive të lidhura me familjen Trump që kanë përfituar kontrata nga Pentagoni. Në listë përfshihen edhe Powerus, Vulcan Elements, Firehawk Aerospace, PsiQuantum, Hadrian dhe Foundation Future Industries.
Sipas analizës, kontratat dhe zotimet financiare janë dhënë pasi vëllezërit Trump kishin investuar në këto kompani, duke ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit.
Demokratët në Kongres i kanë kërkuar inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit të hetojë nëse ka pasur konflikte interesi në proceset e prokurimit dhe në dhënien e kontratave.
Një zëdhënës i Donald Trump Jr. dhe Eric Trump ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se vëllezërit nuk marrin pjesë në vendimmarrjet e qeverisë për prokurimet publike.
Rasti po tërheq vëmendje të veçantë për shkak të vlerës së madhe të kontratave dhe lidhjeve financiare mes kompanive përfituese dhe rrethit të familjes së presidentit amerikan. /Telegrafi/





