Hajdin Limoni, shqiptari nga komuna e Gjilanit që u bë hero në Wohlen të Zvicrës pasi shpëtoi katër të rinj nga një veturë që po digjej pas një aksidenti, ka rrëfyer ekskluzivisht për Telegrafin momentin kur ndërhyri për t’i nxjerrë nga flakët.
Në mesin e të aksidentuarve ishte edhe një vajzë me prejardhje shqiptare, pasi babai i saj është shqiptar. Limoni tregon se këtë e ka kuptuar vetëm më vonë, pasi në momentin e shpëtimit nuk e dinte se kush ishin personat që ndodheshin në veturë.
Ai kujton thirrjen e vajzës në momentin e rrezikut:

“Dhe unë i kam thënë, sikur ta dija se ka gjak shqiptari”, rrëfen Limoni.
Ai tregon se të aksidentuarit kishin shtetësi italiane dhe se nuk kishte pasur dijeni për prejardhjen e tyre.
“Njëra e ka babain shqiptar. Më vonë e kam kuptu, s’kam ditë asgjë. As kush janë, as çfarë janë. Përndryshe, ata kanë shtetësi italiane”, ka treguar ai.
Pas ngjarjes, babai i vajzës e ka telefonuar Limonin për ta falënderuar për shpëtimin.
“Babai i një vajzës më ka thirrë, më ka falënderu. Nuk janë mirë, por ai më ka falënderu që i kam nxjerrë prej flakës dhe që i kam shpëtu”, ka rrëfyer Limoni.
Ngjarja ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 20:45, në Wohlen të kantonit Aargau.
Në veturën që u përfshi nga zjarri, ndodheshin katër shtetas italianë që banonin aty, një vajzë 17-vjeçare dhe tre burra të moshës 17, 18 dhe 21 vjeç./Telegrafi/





