Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se ka pranuar informacione dhe dëshmi për qarkullimin e njoftimeve në grupe të prindërve në rrjete sociale, për pjesëmarrjen e obligueshme të maturantëve në protestën e paralajmëruar për sot, më 5 tetor, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbrojtjen e vlerave të saj.
MAShT ka rikujtuar se asnjë nxënës nuk mund të detyrohet apo t’i bëhet presion për pjesëmarrje në protesta ose tubime publike.
“Duke qenë se bëhet fjalë për nxënës, shumica e të cilëve janë nën moshën 18-vjeçare, institucionet arsimore kanë përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e tyre, respektimin e të drejtave të tyre dhe garantimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor”, thuhet në njoftim.
Ministria ka kërkuar që të respektohet orari mësimor dhe nxënësit të mos organizohen apo largohen nga procesi mësimor për asnjë qëllim.
Po ashtu, MAShT u ka bërë thirrje drejtorive komunale të arsimit dhe institucioneve edukativo-arsimore që të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e këtyre kërkesave.
Sipas ministrisë, Inspektorati Qendror i Arsimit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, do të monitorojë zbatimin e kërkesave dhe do të trajtojë çdo informacion apo ankesë lidhur me detyrimin ose presionin ndaj nxënësve, si dhe pengimin e zhvillimit të rregullt të procesit mësimor./Telegrafi/






