Edhe të huajt braktisin bujqësinë shqiptare, ekspertët ngrenë alarmin

Nacionale

Jo vetëm shqiptarët, por tashmë edhe të huajt duket se kanë hequr dorë nga investimet në sektorin e bujqësisë në vend. Në tremujorin e dytë të vitit, investimet e huaja direkte në bujqësi kanë shënuar një vlerë negative prej 3.4 milionë eurosh, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për vlerën më të […]

Madhësia e shkronjave

Jo vetëm shqiptarët, por tashmë edhe të huajt duket se kanë hequr dorë nga investimet në sektorin e bujqësisë në vend.

Në tremujorin e dytë të vitit, investimet e huaja direkte në bujqësi kanë shënuar një vlerë negative prej 3.4 milionë eurosh, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për vlerën më të lartë të tërhequr gjatë gjithë historikut të investimeve të huaja direkte në këtë sektor.

“Kur flasim për 1.61 miliardë euro investime të huaja direkte në Shqipëri, në bujqësi vlera është e papërfillshme. Në radhë të parë kemi problemin e fragmentimit të tokës, në radhë të dytë kemi mungesën e një tregu ligjor të shitblerjes së tokës bujqësore, edhe pse është e lejueshme marrja e saj me 99 vite, dhe kuptojmë edhe situatën politike dhe paqëndrueshmërinë e saj”, tha Ilir Pilku, ekspert për bujqësinë

Në këtë mënyrë, “alarmi” po ngrihet, pasi kur mungojnë investimet, prodhimi ulet, varësia nga importet rritet dhe çmimet mund të pësojnë rritje të shpejtë.

Investimet që të huajt kanë bërë në të kaluarën në këtë sektor ishin një frymëmarrje për bujqësinë, por tashmë domosdoshmëria për të tërhequr kapital të ri është edhe më e madhe.

“Duhet të biem dakord të gjithë që investimet e huaja janë një domosdoshmëri për rritjen ekonomike, si dhe për aspektin social të saj. Duhet të theksoj që investimet e huaja janë direkte dhe indirekte. Ato indirekte janë para nga donatorët, të cilat nuk japin ndonjë impakt të madh në ekonomi, ndërsa investimet direkte në bujqësi janë gati të papërfillshme”, tha ai.

Në të kaluarën, bujqësia kontribuonte me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që sot pesha e saj ka zbritur në rreth 15%./Vizion+