Gjashtë fëmijë u paraqitën në spital me simptoma helmimi, procedohen penalisht mjekja dhe drejtoresha e kopshtit në Korçë

Nacionale

Dy persona janë proceduar penalisht në Korçë, pas rastit të gjashtë fëmijëve nga i njëjti kopsht, të cilët janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale. Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, një […]

Madhësia e shkronjave

Dy persona janë proceduar penalisht në Korçë, pas rastit të gjashtë fëmijëve nga i njëjti kopsht, të cilët janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale.

Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, një mjeke 57-vjeçare e Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë, si dhe drejtoreshën 60-vjeçare të kopshtit ku qëndronin fëmijët.

Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal nisi pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale.

Policia thotë se mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për rastet e paraqitura në spital.

Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin e saj funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Rasti është ende nën hetim dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse simptomat e fëmijëve kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi apo një viroze.

Materialet procedurale pritet t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Kurse një prind ngriti dyshime rreth shkakut të simptomave te fëmijët dhe kërkoi që rasti të hetohet në mënyrë të plotë.

Sipas tij, dezinfektimi në kopsht është kryer në fillim të shtatorit, por enët e kuzhinës nuk ishin përdorur deri pak ditë më parë, pasi nuk kishte nisur shërbimi i ushqimit për shkak të mungesës së tenderit.

Prindi thotë se ushqimi nisi të enjten, ndërsa të premten në mbrëmje djali i shfaqi simptoma të një helmimi.

Prindi ngre dyshimin se enët mund të kenë qenë të papastra ose të papërshtatshme për përdorim pas një periudhe të gjatë mosshfrytëzimi.

Prindërit kërkojnë verifikimin e kushteve higjieno-sanitare, ushqimeve të konsumuara dhe enëve të kuzhinës, për të përcaktuar shkakun e simptomave te fëmijët. /TCH/