Aksionet për largimin e shitësve ilegalë dhe vendosjen e rendit në tregje dhe në mjediset e tyre do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, jo vetëm në Çair, por edhe në komuna të tjera – njoftoi sot kryetari i Shkupit Orce Gjorgjievski.
Ai theksoi se shitësit kanë hapësirë të siguruar në tregje për shitje dhe se nuk mund të shitet në bulevarde, shtigje për këmbësorë dhe biçikleta.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve rreth aktiviteteve të shpeshta në pjesën e Bit-Pazarit, ku kohët e fundit është kryer një aksion për largimin e shitësve ambulantë, gjatë të cilit janë konfiskuar rreth 500 kilogramë ushqim, Gjorgjievski tha sot pas këqyrjes së aktiviteteve ndërtimore në urën që po ndërtohet në rrugën “Lublanska” në Karposh, se që nga fillimi i mandatit të tij, qëllimi ka qenë vendosja e rendit në kryeqytet.
“Që nga fillimi i mandatit tim, ajo që përpiqemi të bëjmë në kryeqytet është të vendosim rend. Dhe rendi mungon” tha Gjorgjievski.Ai vuri në dukje se disa qytetarë, pas një ose dy paralajmërimeve, tërhiqen nga dukuri të tilla, por theksoi se rregullat për vendin e shitjes duhet të respektohen.
“Dhe ka qytetarë që menjëherë pas një ose dy vërejtjeve dinë të reagojnë dhe të tërhiqen nga dukuri të tilla deviante, do të thosha, që i bëjnë. Të gjithë e dinë se ku është vendi ku duhet të shitet. Askush nuk mund të shesë në mes të bulevardit, në trotuar, në shtegun e biçikletave e kështu me radhë”, tha kryetari i qytetit.
Gjorgjievski informoi se aksioni ishte aktivitet i përbashkët i Qytetit të Shkupit, shërbimeve të qytetit, Inspektoratit, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe paralajmëroi se veprimi i tillë do të vazhdojë.
“Nëse dikush pëlqen të dënohet dhjetë herë për vepër të njëjtë që e përsërit, kjo flet për karakterin e tij, nuk flet për karakterin tonë. Është detyrimi ynë të krijojmë rend. Sa u përket shitësve, ata kanë hapësirë të lirë në tregje dhe e dinë se ku duhet t’i shesin mallrat e tyre ose të gjitha ushqimet që shesin. Kemi disa tregje, por kemi edhe veprime jo vetëm në Çair, veprojmë edhe në Kisella Vodë në afërsi të tregut, veprojmë edhe në Qendër në afërsi të tregjeve, kështu që do të veprojmë kudo. Duhet të ketë rend në qytet. Dhe tolerancën ndaj këtij lloji të fenomenit, të paktën unë nuk e respektoj dhe nuk do të lejoj që të përsëritet në të ardhmen”, tha Gjorgjievski.
Sa i përket shitësve, ai vuri në dukje se ka hapësirë të lirë në tregje dhe se dihet se ku duhet të shiten mallrat dhe ushqimet.Lidhur me Qendrën Shelter të Postës, Gjorgjievski theksoi se Qendra Shelter është një nga projektet që duhet të marrë dedikim të ri dhe të jetë hapësirë për të rinjtë në kuadër të projektit “Shkupi – Qyteti kryeqendër e kulturës”.
“Ky është një nga projektet që besojmë se do ta aftësojmë të jetë objekt për të rinjtë në kuadër të projektit Shkupi – Qyteti kryeqendër e kulturës, në të cilin edhe ne do të kemi investime të caktuara”, tha kryetari i qytetit.
Ai informoi se Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, aktualisht po investon në rindërtimin e çatisë së objektit.
“Ky ishte një vend të cilin, siç ju kujtohet, një zëvendëskryeministër në të kaluarën, por edhe bashkëpunëtorët e tij, donin ta përdornin për dedikim tjetër anormal – kabare apo klub, nuk e di saktësisht se si ishte”, tha ai dhe vlerësoi se tani objekti do të marrë, siç tha ai, dedikimin e mirëfilltë dhe do të jetë hapësirë për të rinjtë.
Lidhur me urën “Gjeneral Mihajllo Apostollski” në Gazi Babë, Gjorgjievski informoi se tashmë është siguruar pjesa e parë e traseut dhe objektet janë rrënuar, ndërsa nga e hëna pritet të fillojnë aktivitetet për vendosjen e bordurave dhe lidhjeve me rrugët hyrëse.Gjorgjievski përkujtoi se kishte premtuar se ura do të përfundonte brenda mandatit të tij katërvjeçar, por ai pret që funksionaliteti i hapësirës të sigurohet që në vitin e parë.
“Unë premtova se do ta përfundoja atë për katër vjet, ja deri në vitin e parë të mandatit tim do të sigurohet funksionaliteti i asaj hapësire dhe i asaj ure në përgjithësi, Gjeneral Mihajllo Apostolski. Ky është projekti i dytë për nga madhësia që ka qëndruar si monument në qytetin e Shkupit për një dekadë”, tha kryetari i qytetit.
Si projekt të tretë kapital, Gjorgjievski përmendi bulevardin “Boris Trajkovski”, për të cilin ai pret që punimet ndërtimore të përfundojnë para afatit për Vitin e Ri, dhe projekti i katërt, siç tha ai, është nyja Momin Potok, ku, sipas tij, punimet ndërtimore po zhvillohen me ritëm të përshpejtuar.
“Dhe i katërti është nyja Momin Potok, ku mund të vëreni se aktivitetet e ndërtimit po ecin shumë, shumë shpejt dhe atje do të përfundojmë deri në fund të këtij viti kalendarik”, tha Gjorgjievski.
Lidhur me Planin e Përgjithshëm Urbanistik të Shkupit, kryetari i qytetit tha se po punohet për të, dhe detaje të mëtejshme do të bëhen të ditura kur të jenë të disponueshme.
Ai theksoi se transparencën e vendos në vend të parë dhe se, siç tha, as në të kaluarën dhe as tani nuk ka fshehur informacione nga mediat, publiku dhe qytetarët.
“E dini se unë si kryetar i qytetit, edhe në të kaluarën edhe tani, ndërsa i tillë do të jem edhe në të ardhmen, transparencën e vë mbi të gjitha dhe asnjëherë nuk kam fshehur asgjë as nga mediat, as nga publiku, as nga qytetarët”, theksoi Gjorgjievski.






