Bombë në Portugali, Cristiano Ronaldo largohet nga grumbullimi i kombëtares

Sport

Cristiano Ronaldo është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë në Kopenhagë, vetëm pak orë pasi përzgjedhësi Jorge Jesus foli publikisht për situatën e tij dhe mohoi se kishte ndonjë problem mes tyre. Sipas raportimit të mediumit spanjoll MARCA, kapiteni portugez është larguar nga kampi i kombëtares dhe pritet të udhëtojë drejt Madridit me avionin […]

Madhësia e shkronjave

Cristiano Ronaldo është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë në Kopenhagë, vetëm pak orë pasi përzgjedhësi Jorge Jesus foli publikisht për situatën e tij dhe mohoi se kishte ndonjë problem mes tyre.

Sipas raportimit të mediumit spanjoll MARCA, kapiteni portugez është larguar nga kampi i kombëtares dhe pritet të udhëtojë drejt Madridit me avionin e tij privat. Largimi i tij vjen në një moment kur në Portugali është krijuar një situatë e tensionuar rreth minutave të tij të lojës dhe vendimit të Jorge Jesusit për ta lënë në stol në ndeshjet e ardhshme.

Jorge Jesus kishte deklaruar se kishte biseduar me Ronaldon dhe se situata ishte zgjidhur. Ai gjithashtu kishte bërë të ditur se Ronaldo do të stërvitej të mërkurën në Kopenhagë.

“Dje ai nuk refuzoi të stërvitej. Francisco Conceiçao nuk u stërvit për shkak të lëndimit, as Félix, sepse po përpiqeshim të menaxhonim lodhjen, ndërsa Cristiano Ronaldo bëri ushtrime në palestër. Ai do të stërvitet sot. Është dita e katërt, kështu që do të stërvitet”, kishte deklaruar Jesus.

Por, në vend të stërvitjes, Ronaldo u largua nga kampi i Portugalisë me një furgon të zi të Federatës Portugeze të Futbollit.

Situata lidhet me deklaratat e Jesusit rreth përdorimit të Ronaldos në ndeshjet e ardhshme. Trajneri kishte bërë të qartë se ai nuk do të lejonte që asnjë lojtar, përfshirë edhe kapitenin dhe yllin më të madh të skuadrës, të ndikonte në vendimet e tij.

“Mund të premtoj çfarë të dua. Unë jam trajneri. I thashë lojtarit se nuk do të luante. Do të të lë në stol. Nëse kam nevojë për ty për 30 minuta, do të luash; nëse jo, nuk do të luash. Asnjë lojtar nuk do të më bëjë të ndryshoj mendje. As ai, askush në futboll. Asnjë president. Kurrë, absolutisht askush”, deklaroi Jesus.

Trajneri portugez kishte treguar gjithashtu se kishte zhvilluar një takim me Ronaldon të martën në mbrëmje dhe se, sipas tij, gjithçka ishte zgjidhur para darkës.

Megjithatë, largimi i Ronaldos nga grumbullimi ka rikthyer pikëpyetjet rreth marrëdhënies së tij me trajnerin dhe të ardhmes së kapitenit me përfaqësuesen portugeze.

Polemika nisi pas ndeshjes së Portugalisë ndaj Norvegjisë në Oslo, të cilën portugezët e fituan 2-1. Ronaldo ishte titullar në atë përballje, ndërsa Jorge Jesus vendosi që João Félix dhe Gonçalo Ramos të luanin në repartin ofensiv.

Të dy shënuan nga një gol dhe Portugalia arriti fitoren, ndërsa Ronaldo nuk u aktivizua në pjesën e dytë, pavarësisht se u pa duke u nxehur.

Pas ndeshjes, kapiteni portugez shkoi direkt në dhomat e zhveshjes dhe nuk iu bashkua zëvendësuesve të tjerë në stërvitjen e ditës së nesërme. Jorge Jesus e kishte cilësuar këtë si një situatë normale, duke e shpjeguar se Ronaldo kishte bërë punë në palestër.

Megjithatë, situata mori një tjetër dimension pas udhëtimit të Pedro Proençës, presidentit të Federatës Portugeze të Futbollit, drejt Kopenhagës për t’u takuar me Ronaldon dhe Jorge Jesusin.

Takimi u zhvillua të mërkurën në mëngjes, ndërsa vetëm disa orë më vonë Ronaldo u largua nga grumbullimi i Portugalisë.

Për momentin, mbetet e paqartë se cilat do të jenë pasojat e këtij zhvillimi dhe nëse Ronaldo do të rikthehet në kohë për ndeshjet e ardhshme të Portugalisë. Ajo që dihet është se një situatë që Jorge Jesus e kishte përshkruar si të zgjidhur tashmë ka marrë një kthesë të papritur. /Telegrafi/