Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një numër projektligjesh dhe vendimesh në fusha të ndryshme, përfshirë drejtësinë, energjinë, ekonominë dhe administratën publike.
Ndër projektligjet e miratuara është ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me të cilin synohet themelimi dhe përcaktimi i kompetencave të kësaj byroje, si dhe rregullimi i procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili përcakton rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që rregullon sistemin e përgjegjësisë disiplinore, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore në rast të shkeljeve të detyrimeve profesionale.

Në kuadër të reformave në drejtësi, Qeveria ka miratuar edhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Ky i fundit synon zhvillimin profesional të vazhdueshëm, cilësor dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë.
Në sektorin e energjisë, janë miratuar Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për Energjinë Elektrike. Sipas Qeverisë, këto projektligje synojnë krijimin e rregullave për një furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, funksionimin e një tregu të hapur dhe konkurrues, mbrojtjen e konsumatorëve dhe integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili synon të përcaktojë mekanizmat institucionalë për mbështetjen dhe promovimin e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, që synon parandalimin e vonesave në pagesa dhe përcaktimin e rregullave për afatet dhe llogaritjen e kamatëvonesave në transaksionet ndërmjet bizneseve dhe ndërmjet bizneseve e autoriteteve publike.
Në fushën e rregullimit të energjisë, Qeveria ka vendosur t’i propozojë Kuvendit kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si dhe kandidatët për dy pozita anëtarësh të këtij bordi.
Ndër vendimet e tjera janë edhe disa vendime për dhënie me qira të pronave publike në zona të ndryshme kadastrale, kryesisht për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe vendosjen e mekanizmave për përpunimin e materialeve.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027–2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.
Në mbledhje është vendosur edhe zgjatja për tre muaj e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Po ashtu, janë miratuar Lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese, si dhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese./Telegrafi/





