Vetëm dy ditë pasi u zyrtarizua si një prej përballjeve më të mëdha të boksit britanik, dueli mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas ka hyrë sërish në një fazë pasigurie.
Meçi i shumëpritur, i planifikuar për 11 dhjetor në stadiumin “Principality” nw Cardiff, u konfirmua zyrtarisht të enjten pas vitesh negociatash, me përballjen që do të transmetohet globalisht në Netflix.
Por menjëherë pas zyrtarizimit ka shpërthyer një përplasje mes promotorëve. Në qendër të saj është përfshirja e presidentit të UFC-së, Dana White, në organizimin e meçit, diçka që promotori i Joshuas, Eddie Hearn, e ka kundërshtuar publikisht. ESPN raportoi se Hearn ka vënë në pikëpyetje rolin e White në marrëveshjen për përballjen.
Në mes të kësaj situate ka ndërhyrë edhe Fury, i cili në një reagim në rrjetet sociale ka akuzuar Joshuan dhe Hearnin se po tentojnë të tërhiqen nga meçi.
“Anthony Joshua dhe Eddie Hearn po përpiqen të tërhiqen nga ky meç”, ka pretenduar Fury, duke e lidhur problemin kryesisht me konfliktin mes Hearnit dhe Dana White.
Boksieri britanik ka kritikuar ashpër Hearnin, duke pretenduar se qëndrimi i promotorit po rrezikon realizimin e përballjes së shumëpritur.
Fury ka thënë gjithashtu se Turki Alalshikh, një prej figurave kryesore pas organizimit, tashmë po shqyrton alternativa nëse situata nuk zgjidhet.
“Eddie Hearn na e ka rrezikuar meçin më të madh në historinë e boksit”, ka shkruar Fury.
Megjithatë, deri tani bëhet fjalë për pretendime dhe një përplasje mes palëve, jo për një anulim zyrtar të duelit. Përballja Fury–Joshua vazhdon të jetë e planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff, ndërsa zhvillimet e fundit kanë krijuar pikëpyetje të reja vetëm pak ditë pas zyrtarizimit të saj./Telegrafi/






