Eurodeputeti kroat nga radhët e partisë HDZ, Davor Ivo Stier, ka deklaruar në emisionin “Romano Bolkoviq – 1 na 1” në televizionin kroat HRT se Serbia nuk ka bërë asnjë hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sipas tij, politika e Beogradit për të balancuar mes Perëndimit dhe Rusisë nuk është e qëndrueshme në aspektin afatgjatë.
Stier e krahasoi pozicionin e Serbisë me atë të Turqisë, duke nëvizuar se ndryshe nga Ankaraja, e cila si anëtare e NATO-s mund të mbajë marrëdhënie me të dyja palët, Serbia ka shumë më pak hapësirë manovrimi sepse ekonomikisht është e lidhur fuqishëm me Perëndimin dhe vendet fqinje. Ai theksoi se Beogradi nuk ka hapur apo mbyllur asnjë kapitull negociatash prej më shumë se dy vitesh, gjë që vjen si pasojë e mungesës së reformave dhe e kursit gjeopolitik që ka zgjedhur.
Eurodeputeti u ndal edhe te roli i fuqive perëndimore, veçanërisht Gjermanisë dhe Francës. Ai theksoi se ish-kancelarja gjermane Angela Merkel – të cilën e cilësoi si figurën politike më të fuqishme të Evropës në shekullin XXI – bart përgjegjësi për ngritjen politike të Aleksandar Vuçiqit, në një kohë kur Gjermania zhvillonte marrëdhënie intensive ekonomike e energjetike me Rusinë përmes projekteve “Nord Stream”.

Lidhur me politikën e sotme të presidentit francez Emmanuel Macron ndaj Beogradit, Stier vlerësoi se Parisi po përpiqet të ruajë ndikimin e tij në rajon përmes bashkëpunimit ushtarak, ekonomik e politik. Ai shtoi se në këtë mes ekziston një konkurrencë mes Berlinit, Parisit dhe Londrës për ndikim, por kjo nuk do të thotë se Franca do të përpiqet ta fusë Serbinë në BE përmes rrugëve të shkurtra.
Sa i përket anëtarësimit në BE, Stier nënvizoi se Serbia nuk mund të bëhet pjesë e bllokut pa zgjidhur çështjen e Kosovës. Ai sqaroi se BE-ja nuk i kërkon Beogradit njohjen formale, por një normalizim de fakto të marrëdhënieve dhe zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit. Kjo nënkupton që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa Prishtina duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas Stier, politika evropiane deri më tani nuk ka qenë e suksesshme sepse shtete të caktuara anëtare kanë ndjekur interesat e tyre në vend të një politike të përbashkët. Ai kërkoi një presion më të koordinuar dhe më të fortë evropian ndaj Beogradit.
Duke folur për zgjerimin, Stier e cilësoi Malin e Zi si shtetin më të afërt për t’i përmbyllur negociatat deri në vitin 2029, por paralajmëroi se sfida kryesore e Podgoricës mbetet nëse do t’i rezistojë përqafimit të “botës serbe”.
Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ai vuri në dukje se Washingtoni zyrtar – pavarësisht nëse udhëhiqet nga Biden apo Trump – nuk e sheh më Rusinë si kërcënimin kryesor global sepse fokusi strategjik amerikan është zhvendosur drejt Kinës dhe rajonit Indo-Paqësor. Për këtë arsye, SHBA-ja pret që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
Eurodeputeti kroat propozoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen shkallë-shkallë në politika të caktuara evropiane (siç është heqja e tarifave të roamingut) përpara anëtarësimit të plotë, por përsëriti se me politikën aktuale të Beogradit nuk sheh asnjë përparim të Serbisë drejt Bashkimit Evropian./Telegrafi.





