Renault po vazhdon të rikthehet te modelet ikonike të së kaluarës, por këtë herë ka shkuar edhe më tej. Prodhuesi francez ka prezantuar Renault 8 Gordini Concept, një interpretim modern dhe tërësisht elektrik të një prej makinave më të famshme sportive të markës.
Dhe ka një detaj që e bën këtë makinë edhe më interesante: nuk mund ta blini. Renault nuk ka plane ta fusë konceptin në prodhim, pasi modeli është krijuar vetëm si një ushtrim dizajni dhe për të eksploruar se si mund të rikthehen ikonat e së kaluarës në epokën moderne.
Projekti lindi nga një konkurs i brendshëm në Renault, ku u dorëzuan më shumë se 300 skica. Nga këto, dy propozime arritën në fazën e modeleve në shkallë 2:5, përpara se ekipi të kombinonte elementet më të mira të të dyjave në konceptin përfundimtar.

Rezultati është një kupe elektrike me dy vende, trup të ulët dhe karroceri të gjerë, që nuk përpiqet të kopjojë drejtpërdrejt Renault 8 Gordini të viteve 1960. Përkundrazi, dizajnerët kanë marrë elementet që e bënë modelin origjinal të veçantë dhe i kanë shndërruar në një makinë me pamje moderne.
Edhe kabina ndjek të njëjtën filozofi. Në vend të një ekrani gjigant që dominon panelin, Renault ka zgjedhur një dizajn minimalist me një panel alumini të përpunuar dhe një seri ekranesh të vogla rrethore digjitale, të frymëzuara nga instrumentet e modelit klasik.
Brenda ka gjithashtu shumë Alcantara, sedilje sportive me korduroj blu dhe një buton të kuq kronometri, duke i dhënë kabinës një karakter të fortë sportiv, transmeton Telegrafi.
Detajet retro vazhdojnë edhe në pjesën e jashtme. Shkrimi “Gordini” është ridizajnuar duke ruajtur frymën e stemës origjinale, ndërsa logoja e re “8” përbëhet nga tetë segmente.
Fenerët e përparmë janë një interpretim modern i konfigurimit me gjashtë drita të makinës së garave të viteve 1960. Pasqyrat në formë guaske dhe grila që shtrihet në të gjithë gjerësinë e pjesës së poshtme të xhamit të përparmë janë gjithashtu referenca të drejtpërdrejta ndaj Renault 8 Gordini.
Koncepti vjen në një periudhë kur Renault po rikthen disa prej emrave të tij klasikë në forma elektrike, përfshirë Twingo, Renault 4 dhe Renault 5, ndërsa më herët marka prezantoi edhe R17 electric restomod.
Megjithatë, ndryshe nga këto modele, Renault 8 Gordini Concept do të mbetet unik. Kompania nuk planifikon ta prodhojë apo ta shesë këtë kupe.
Publiku do të ketë mundësi ta shohë nga afër konceptin në Paris Motor Show 2026, i cili zhvillohet nga 12 deri më 18 tetor. /Telegrafi/





