Protestuesit mbrëmë hodhën gurë e mjete piroteknike te EULEX-i, Policia: Pati një zjarr të vogël

Nacionale

Qytetarët që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbrëmë janë zhvendosur drejt objektit të EULEX-it. Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur rreth orës 22:30. Sipas Policisë, protestuesit, pasi kanë arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, kanë bllokuar rrugën dhe “kanë filluar hedhjen e gjësendeve të […]

Madhësia e shkronjave

Qytetarët që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbrëmë janë zhvendosur drejt objektit të EULEX-it.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur rreth orës 22:30.

Sipas Policisë, protestuesit, pasi kanë arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, kanë bllokuar rrugën dhe “kanë filluar hedhjen e gjësendeve të ndryshme, mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike”.

Policia tha se, si pasojë e mjeteve piroteknike, “një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël, i cili është shuar menjëherë”.

Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë kanë komunikuar vazhdimisht me protestuesit dhe u kanë kërkuar që protestat t’i zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore.

Sipas njoftimit, protestat kanë përfunduar pas mesnatës, rreth orës 00:20.

Policia vlerëson se “ka menaxhuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e tubimeve/protestave”, të cilat, sipas saj, kanë kaluar “pa incidente madhore dhe pa lëndime të protestuesve e të zyrtarëve policorë”.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka njoftuar se do të vazhdojë me prezencën dhe patrullimet në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. /Telegrafi/