Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku sot pritet të votohet për Qeverinë e re.
Zyrtarë të PDK-së kanë bërë të ditur se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancë, pas zhvillimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit dhe tërheqjes së përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut.
PDK, e drejtuar nga Bedri Hamza, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet e fundit.
Të njëjtin qëndrim e ka bërë të ditur edhe AAK-ja.
Deputeti i Aleancë, Burim Ramadani ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në grumbullimin e orës 14:00 në sallën e Kuvendit, duke e konsideruar procesin jokushtetues.
“Ne e konsiderojmë këtë proces jokushtetues dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka thënë se Aleanca kishte ofruar një marrëveshje gjashtëpikëshe që nga 26 qershori, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje politike dhe stabilitetit.
“Ne ofruam marrëveshje. Ata zgjodhën arrogancën. Ne ofruam zgjidhje. Ata zgjodhën krizën”, ka deklaruar Ramadani.
Sipas tij, Aleanca e konsideron se oferta e saj është refuzuar dhe se zhvillimet aktuale po çojnë vendin drejt një krize të re politike.
“Alianca zgjodhi Kosovën. Ata zgjodhën pushtetin e postet”, ka shkruar Ramadani.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është thirrur për sot në ora 14:00, ndërsa në rend dite është zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/






