Barcelona ka njoftuar se për herë të parë në historinë e klubit ka regjistruar të ardhura vjetore që tejkalojnë shifrën e 1 miliard eurove.
Sipas klubit katalanas, ky rekord financiar është ndikuar kryesisht nga rritja e të ardhurave të gjeneruara nga stadiumi, pavarësisht se gjatë sezonit disa ndeshje janë zhvilluar në “Johan Cruyff Stadium” dhe “Olympic Stadium”, ndërsa në rikthimin në “Spotify Camp Nou” kapaciteti ka qenë i kufizuar në rreth 42 mijë spektatorë.
“Ky është një rekord i ri në aspektin e të ardhurave, duke kaluar për herë të parë barrierën e 1 miliard eurove”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.
Klubi thekson se shifra është veçanërisht e rëndësishme, pasi buxheti i parashikuar për sezonin është arritur pothuajse plotësisht, edhe pse plani fillestar parashikonte që sezoni të niste në stadium me një kapacitet prej më shumë se 60 mijë tifozësh.
Barcelona beson se këto të dhëna dëshmojnë potencialin e madh financiar të “Spotify Camp Nou”, kur stadiumi të jetë plotësisht funksional.
Në rritjen rekord të të ardhurave kanë ndikuar gjithashtu rritja e vazhdueshme e të ardhurave nga sponsorët, si dhe shitjet rekord të produkteve zyrtare të klubit përmes kompanisë së tij BLM. /Telegrafi/






