Ylli i Dolly Parton në ikonën “Hollywood Walk of Fame” po zëvendësohet pasi u dëmtua.
Fotot e reja tregojnë ekipet duke punuar për riparimin e këtij simboli të famshëm të mërkurën, pasi fansat e Parton mbetën të tronditur kur panë se ylli i saj ishte dëmtuar, vetëm pak ditë pas vdekjes së ikonës së muzikës, në moshën 80-vjeçare.
Ana Martinez, zëdhënëse e Dhomës së Tregtisë së Hollywood-it, i tha Daily Mail të martën se një fans kishte raportuar se ylli ishte vandalizuar dhe kishte shumë gërvishtje.
Martinez tha gjithashtu se ylli ishte planifikuar të riparohej që javën e kaluar për shkak të disa çarjeve. Ekipi i mirëmbajtjes kishte larguar lulet e vendosura pranë tij dhe aktualisht po kryen punimet.
Ajo shtoi se restaurimi po realizohet nga Hollywood Historic Trust, organizata që mirëmban dhe riparon yjet e “Walk of Fame”. Ylli i Parton do të lustrohet dhe pritet të jetë sërish i gatshëm për fansat të premten.
Pamjet e procesit të riparimit u publikuan fillimisht nga radioja me bazë në Los Angeles, KNX, ku shihen ekipet duke punuar për zëvendësimin e yllit, pasi emri i këngëtares së muzikës country, sipas raportimeve, ishte gërvishtur.
Fansat e këngëtares së hitit “Jolene” nuk e pritën aspak mirë lajmin dhe vërshuan në seksionin e komenteve për të shprehur reagimet e tyre.
“Ky lajm më dhemb shumë në zemër”, shkroi një komentues.
“Është një tjetër dëshmi se, pavarësisht se kush je apo çfarë bën, gjithmonë do të ketë dikush që të urren”, shkroi një tjetër, ndërsa një komentues i tretë reagoi: “Çfarë dreqin, kush do ta bënte këtë?”
Të tjerë theksuan se dëmtimi mund të kishte ardhur si pasojë e konsumimit normal. “Ylli ishte dëmtuar nga përdorimi dhe konsumimi i zakonshëm. Kishte çarje dhe duhej të zëvendësohej”, shkroi një tjetër komentues.
Dolly Parton e kishte marrë këtë nder më shumë se katër dekada më parë, në vitin 1984. Që prej ndarjes së saj nga jeta, ylli është kthyer në një vend ku fansat e saj në Kaliforninë Jugore kanë shkuar për të nderuar kujtimin e saj.





