Vendimi për t’u rikthyer në basketbollin aktiv, pesë vjet pas pensionimit, nuk ka qenë i lehtë për Edmond Azemin.
Megjithatë, legjenda e Prishtinës ka vendosur të veshë sërish fanellën bardhekaltër dhe të jetë pjesë e skuadrës në edicionin 2026/27.
Azemi, tashmë 45-vjeçar, ka nisur prej disa ditësh përgatitjet me Prishtinën, ndërsa rikthimi i tij u bë zyrtar nga klubi të hënën. Ai synon të ndihmojë skuadrën në garën për trofe dhe ta rikthejë Prishtinën në majat e basketbollit kosovar.
Azemi ishte larguar nga basketbolli aktiv në qershor të vitit 2021, në një moment tejet emocional të karrierës së tij. Pas pensionimit, ai vazhdoi të ishte i lidhur me klubin dhe basketbollin, duke mbajtur edhe pozita drejtuese, ndërsa luajti edhe me ekipet e veteranëve.
Tani, pesë vjet më vonë, ai është rikthyer në nivelin profesional dhe beson se ende mund të japë kontribut në parket.
Azemi është pjesë e Prishtinës që nga viti 1999, ndërsa gjatë karrierës ka luajtur edhe për KB Valbonën, MZT-në dhe Lirinë e Shkupit, si dhe KR në Islandë.
Ai ka përfaqësuar Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën në nivele të ndryshme të përfaqësueseve.
Me Prishtinën, megjithatë, ka arritur sukseset më të mëdha. Ai konsiderohet basketbollisti më i trofeshëm në Kosovë, me gjithsej 36 trofe: 12 tituj të kampionit të Kosovës, 14 Kupa të Kosovës, shtatë Superkupa dhe dy tituj të Ligës Ballkanike. Në karrierën e tij ndërkombëtare në klube, ai ka fituar edhe Superligën e Islandës. /Telegrafi/






