Milot Rashica është lënë jashtë skuadrës së Besiktasit për ndeshjen e sotme ndaj Çorumut, teksa e ardhmja e futbollistit kosovar në klubin turk po bëhet gjithnjë e më e paqartë.
Sipas mediumit turk “Medya Siyah Beyaz”, drejtuesit e Besiktasit kanë nisur bisedimet për të ndërprerë kontratën me Rashicën, pas largimeve të Amir Hadziahmetovicit dhe Al Musratit.
Klubi turk raportohet se ia ka përcjellë këtë kërkesë edhe menaxherit të Rashicës, por pala e futbollistit deri më tani nuk është pajtuar me një zgjidhje të tillë.
Rashica ka edhe një vit kontratë me Besiktasin dhe raportohet se përfiton rreth 2.5 milionë euro në sezon. Kjo pagë po e vështirëson edhe gjetjen e një klubi të ri për të, pavarësisht interesimit që ekziston nga disa skuadra evropiane.
Prioriteti i Besiktasit është ta transferojë Rashicën në një klub tjetër, por nëse nuk vjen një ofertë e përshtatshme, atëherë ndërprerja e kontratës me marrëveshje të dyanshme mund të bëhet opsion. Rashica deri tani e ka refuzuar ofertën për ndërprerje të kontratës.
Lënia e tij jashtë skuadrës për duelin ndaj Çorumut vjen në një moment kur e ardhmja e reprezentuesit të Kosovës në Stamboll është seriozisht në pikëpyetje. /Telegrafi/






