Iranianët shënjestrojnë bazat amerikane në Jordani, Trump paralajmëron hakmarrje

Bota

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj sulmeve iraniane, pasi tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar sërish pas një pauze të shkurtër. “Do t’i godasim fort. Do të ketë një përgjigje”, deklaroi Trump më 31 gusht, sipas gazetarit të Fox News, Trey Yingst, i cili tha se […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj sulmeve iraniane, pasi tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar sërish pas një pauze të shkurtër.

“Do t’i godasim fort. Do të ketë një përgjigje”, deklaroi Trump më 31 gusht, sipas gazetarit të Fox News, Trey Yingst, i cili tha se kishte folur me presidentin përmes telefonit.

Përshkallëzimi i fundit erdhi pasi SHBA-ja kreu më 30 gusht një sulm në ishullin Larak të Iranit, duke goditur dy mjete lëshuese që, sipas Komandës Qendrore amerikane, po përgatiteshin të lëshonin raketa dhe mina detare drejt Ngushticës së Hormuzit.

Teherani u kundërpërgjigj me raketa balistike ndaj dy bazave amerikane në Jordani. Sipas autoriteteve amerikane, raketat u kapën para se të shkaktonin viktima apo dëme në bazat amerikane.

Sulmi iranian ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë e administratës Trump, e cila gjatë ditëve të fundit kishte sinjalizuar një fokus më të madh në presionin ekonomik dhe sanksionet ndaj Teheranit, në vend të një fushate të re ushtarake.

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha se Uashingtoni mund të ndjekë të dyja qasjet njëkohësisht, transmeton Telegrafi.

“Presidenti i mban të gjitha opsionet në dispozicion dhe nuk do të qëndrojë duarkryq nëse iranianët sulmojnë Shtetet e Bashkuara apo aleatët tanë”, deklaroi Whitaker për USA TODAY.

Ndërkohë, administrata amerikane ka vendosur sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit dhe ka kërcënuar me masa ndëshkuese ndaj vendeve dhe kompanive që vazhdojnë transaksionet financiare me Teheranin, në kuadër të asaj që Trump e ka quajtur “Operation Economic Outcast”.

Trump e ka ashpërsuar edhe më tej retorikën ndaj Iranit. Në një postim në Truth Social, ai e cilësoi Iranin si një “shtet të dështuar”, duke pretenduar se vendi ka humbur kapacitetet kryesore ushtarake dhe se udhëheqja e tij ndodhet në kaos.

Ndërkohë, disa orë pas rifillimit të luftimeve, Trump publikoi në rrjetet sociale një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej ishulli Kharg – një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës së Iranit – nën sulm dhe i përfshirë nga flakët. Deri tani, nuk ka prova se një sulm i tillë ka ndodhur.

Zhvillimet e fundit rikthejnë frikën për një përshkallëzim të drejtpërdrejtë SHBA–Iran, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit të energjisë në botë. /Telegrafi/