Arsenali mund të bëjë një përpjekje të vonshme për t’ia rrëmbyer Tottenhamit transferimin e sulmuesit të Evertonit, Iliman Ndiaye.
Sipas gazetarit senegalez Khadim Diakhate, “Topçinjtë” po përgatisin një ofertë të rëndësishme për 26-vjeçarin, vetëm pak para mbylljes së afatit kalimtar.
Ndiaye thuhet se tashmë ka arritur një marrëveshje verbale me Tottenhamin, ndërsa klubi londinez ka qenë në negociata me Evertonin për një transferim që mund të arrijë në rreth 60 milionë euro.
Megjithatë, marrëveshja nuk është përfunduar ende në aspektin personal, duke i lënë hapësirë Arsenalit të ndërhyjë.
Raportohet se Arsenali po punon në prapaskenë për ta bindur reprezentuesin e Senegalit që të zgjedhë “Emirates Stadium” në vend të Tottenhamit.
Një zhvillim i tillë do të ishte veçanërisht i bujshëm, duke marrë parasysh rivalitetin mes dy klubeve londineze.
Ndiaye iu bashkua Evertonit nga Marseille në vitin 2024 dhe në sezonin e kaluar regjistroi gjashtë gola dhe tri asistime në 34 paraqitje.
Ai e ka nisur pozitivisht edhe këtë sezon, duke dhënë një asistim në dy ndeshjet e para të kampionatit.
Tashmë pritet të shihet nëse Arsenali do të arrijë ta përmbysë marrëveshjen e Tottenhamit në momentet e fundit të afatit kalimtar. /Telegrafi/





