Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka paralajmëruar protestë më 1 shtator kundër bllokimit të komunave dhe qytetarëve nga niveli qendror.
Rama ka bërë të ditur se kryetarët e komunave të Kosovës do të mblidhen në protestë të martën, më 1 shtator në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“BOLL MO! QYTETARËT NUK MUND TË NDËSHKOHEN SEPSE NUK E KANË VOTUAR VETËVENDOSJEN”, ka shkruar Rama.
Ai ka ftuar qytetarët e Prishtinës që t’i bashkohen protestës, duke thënë se paratë e mbledhura nga taksat duhet të kthehen në investime për qytetarët.

“Paratë që i paguani si tatim duhet t’ju kthehen në shkolla, çerdhe, rrugë, shëndetësi dhe investime”, ka deklaruar Rama.
Në videon e publikuar, Rama ka dhënë edhe shifra për fondet komunale, duke pretenduar se që nga viti 2022, kjo qeveri u ka marrë buxheteve komunale mbi 344 milionë euro për obligime të krijuara në nivelin qendror.
Sipas tij, vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë marrë rreth 55 milionë euro nga buxhetet komunale.
Rama ka thënë gjithashtu se janë bllokuar 37.5 milionë euro të hyrave vetanake të komunave.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti se po i bllokon fondet dhe investimet për komunat, duke pretenduar se qytetarët po e paguajnë çmimin e këtij veprimi.
“Vetëm pse nuk e kemi votuar Vetëvendosjen, po ndëshkohen komunat”, ka thënë Rama.
Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar situatën si “çmenduri institucionale” dhe “ofendim për secilin qytetar të Prishtinës dhe të Kosovës”.
“Kryeqyteti është i qytetarëve të tij. Nuk është vend ku pushteti qendror zbras inate politike, komplekse apo motive të dyshimta”, ka deklaruar ai.
Rama ka paralajmëruar se protestës do t’i bashkohen kryetarë të komunave, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve.
“Kur qytetarët ndëshkohen për mënyrën si votojnë, kur paratë e tyre bllokohen dhe pushteti tenton të centralizohet në një dorë, kjo është rruga drejt autokracisë. Ne nuk do ta lejojmë këtë!”, ka shkruar Rama.
Protesta do të mbahet më 1 shtator, në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Telegrafi/





