Fluks i lartë në Morinë, mbi 200 mijë hyrje nga Kosova në vetëm një javë

Nacionale

Pika e Kalimit Kufitar të Morinës vijon të përballet me një fluks të lartë udhëtarësh dhe automjetesh, ndërsa ditët e fundit të gushtit shënojnë udhëtimin e një pjese të madhe të pushuesve nga Kosova drejt bregdetit shqiptar në prag të përfundimit të sezonit veror dhe nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator në […]

Madhësia e shkronjave

Pika e Kalimit Kufitar të Morinës vijon të përballet me një fluks të lartë udhëtarësh dhe automjetesh, ndërsa ditët e fundit të gushtit shënojnë udhëtimin e një pjese të madhe të pushuesve nga Kosova drejt bregdetit shqiptar në prag të përfundimit të sezonit veror dhe nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator në Kosovë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Kufirin dhe Emigracionin, nga ora 05:00 e 29 gushtit deri në orën 08:00 të 30 gushtit, përmes Morinës kanë hyrë në territorin shqiptar 51 278 qytetarë të Kosovës, me 14 692 automjete dhe autobusë, shkruan A2.

Fluksi ka qenë i konsiderueshëm edhe gjatë ditëve të mëparshme. Vetëm në periudhën 24–28 gusht, përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë në Shqipëri 152 694 qytetarë të Kosovës dhe 46 870 mjete. Në total, gjatë periudhës 24-30 gusht, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë hyrë në Shqipëri përmes Morinës ka arritur në 203 972, ndërsa numri i automjeteve ka shkuar në 61 562. Lëvizjet e shumta në kufi lidhen me ditët e fundit të pushimeve verore, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve po shfrytëzojnë ditët e fundit të pushimeve zyrtare përpara nisjes së vitit të ri shkollor.

Fluksi i lartë në Morinë është pjesë e një tendence të evidentuar gjatë gjithë sezonit veror. Të dhënat për muajt maj, qershor dhe korrik tregojnë se rreth 1.43 milionë qytetarë të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri, me destinacion zonat bregdetare.

Në këtë shifër përfshihen edhe pjesëtarë të diasporës së Kosovës, të cilët gjatë qëndrimit në vendlindje kanë shfrytëzuar periudhën e pushimeve për të udhëtuar drejt bregdetit shqiptar.

Me afrimin e shtatorit, pritet që lëvizjet në Morinë të mbeten intensive, veçanërisht në drejtim të Kosovës, për shkak të kthimit të pushuesve dhe përgatitjeve për nisjen e vitit të ri shkollor.