“Zgjedhje të reja në horizont” – 44% e të rinjve duan të largohen, a i duhet Kosovës një ORA/FER 3.0?

Nacionale

Kosova nuk po humb vetëm njerëz që mund të largohen nga vendi, por po humb edhe besimin se ia vlen të qëndrosh. Nuk është vetëm një shifër tjetër në një sondazh. 44 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç thonë se, po të kishin mundësi, do të largoheshin përgjithmonë nga […]

Madhësia e shkronjave

Kosova nuk po humb vetëm njerëz që mund të largohen nga vendi, por po humb edhe besimin se ia vlen të qëndrosh.

Nuk është vetëm një shifër tjetër në një sondazh. 44 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç thonë se, po të kishin mundësi, do të largoheshin përgjithmonë nga Kosova, sipas një sondazhi të NDI-së, Zyra në Kosovë.

Shifra prej 44 për qindësh nuk mund të lexohet më vetëm si një tregues i prirjes për emigrim. Ajo reflekton mënyrën se si një pjesë e madhe e gjeneratës së re e percepton të ardhmen e vet në Kosovë dhe ngre një pyetje më të gjerë: çfarë perspektive po shohin sot këta të rinj kur mendojnë për jetën, punën dhe të ardhmen e tyre në vend?

Një vend ku çmimet rriten, energjia vazhdon të jetë problem dhe papunësia mbetet ndër shqetësimet kryesore. Një vend ku vetëm 31 për qind besojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, ndërsa 38 për qind mendojnë të kundërtën.

Ka dy vjet që Kosova sillet në një rreth: zgjedhje, bllokadë, institucione në detyrë, zhgënjim dhe përsëri zgjedhje.

Sapo kaluam zgjedhjet e qershorit dhe ende po flasim për mundësinë e një pale tjetër zgjedhjesh. Sepse nuk ka marrëveshje, nuk ka kompromis dhe, mbi të gjitha, nuk ka besim të mjaftueshëm mes liderëve të partive politike. Ndërkohë, koha nuk pret, treni po ecën dhe sa më shumë që politika sillet në rreth, aq më shumë qytetari largohet prej saj.

Rezultati është një shoqëri gjithnjë e më e polarizuar, ku pak kush po flet për vlera, zhvillim social e ekonomik, për një vizion afatgjatë të shtetit apo, të mos flasim, për mënyrën se si Kosova duhet të pozicionohet në arenën ndërkombëtare. Edhe zgjedhjet e fundit dhanë një sinjal, pjesëmarrja ishte më e ulët e një pjesë e qytetarëve zgjodhën të mos votojnë.

Mund të quhet abstinencë, mund të quhet indiferencë, madje edhe një lloj ndëshkimi apo sabotimi elektoral. Por pas saj, në një masë të madhe, qëndron i njëjti problem: besimi i humbur dhe zhgënjimi. Qytetari nuk po thotë domosdoshmërisht se nuk i intereson politika. Ndoshta po thotë se është lodhur nga e njëjta politikë.

Para zgjedhjeve të qershorit, Telegrafi kishte pyetur lexuesit se sa besojnë se partitë politike i marrin seriozisht problemet e të rinjve.

Në sondazh kishin votuar 1 mijë e 911 persona dhe rezultati ishte i qartë: 69 për qind, apo 1 mijë e 314 vota, thonë “aspak”. 15 për qind thonë “pak”, 8 për qind “mesatarisht”, 5 për qind “shumë”, ndërsa 4 për qind nuk kanë qëndrim.

Këto statistika, sipas përfaqësuesve të organizatave të të rinjve, sociologëve dhe organizatave joqeveritare, konsiderohen shqetësuese. Tash lind pyetja: nëse Kosova shkon përsëri në zgjedhje, pas dy tentativave për të krijuar institucione dhe pas gjithë këtij cikli të bllokadave, a mund të jetë kjo një mundësi për një model të ri politik?

Pas ORA-s dhe FER-it, a mund të jetë e treta e vërteta?

ORA dhe FER nuk arritën të bëhen pjesë e Kuvendit, por historia e tyre mund të lexohet edhe ndryshe. Jo vetëm si histori e dy partive që nuk ia dolën, por si dëshmi se në Kosovë ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një hapësirë për një politikë ndryshe.

Ndoshta sot kjo hapësirë është edhe më e madhe. Sepse, krahas votuesve tradicionalë të partive, ekziston një grup tjetër: të rinjtë, të pavendosurit, ata që nuk votojnë, ata që janë të pakënaqur dhe ata që nuk e gjejnë më veten në ofertën ekzistuese politike.

Dhe pikërisht këtu mund të lindë një ORA/FER 3.0.

Jo një rikthim nostalgjik i dy projekteve të vjetra, jo një tjetër parti që kërkon vetëm të marrë disa ulëse në Kuvend, por një model i ri politik, i ndërtuar mbi atë që mungon sot: besimin, kompetencën, idetë e reja, njerëzit e rinj dhe një gjuhë që nuk ushqehet vetëm me konfliktin partiak. Sepse problemi i Kosovës nuk është vetëm se njerëzit po ikin. Problemi është se shumë prej tyre nuk po e shohin më veten këtu. Dhe nëse politika nuk arrin t’u japë një arsye për të qëndruar, atëherë 44 për qind mund të mos jetë kulmi i problemit, und të jetë vetëm fillimi.

Pyetja nuk është vetëm kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme nëse na qojnë prap në zgjedhje. Pyetja është: kush do t’i bindë njerëzit se ia vlen të votojnë, të qëndrojnë dhe të besojnë përsëri?