Ka përfunduar koha e rregullt e ndeshjes mes Inter D’Escaldes dhe Dritës, me rezultatin 0-0, ndërsa dy skuadrat do të luajnë tani vazhdimet.
Pas barazimit 2-2 në Prishtinë, Drita po luan si mysafire ndaj Inter Escaldes, në ndeshjen e kthimit të play-offit të Ligës së Konferencës.
Drita në 45 minutat e para ishte më e fokusuar në organizimin defensiv, duke mos lejuar kundërshtarin të krijojë raste të rrezikshme para portës së Malokut.
Në anën tjetër, gjilanasit, edhe pse po luajnë me dy sulmues, nuk arritën të krijojnë ndonjë mundësi të pastër shënimi.
Skuadra vendase ishte shumë më kërkuese edhe në pjesën e dytë, por Faton Maloku me disa pritje të mira, si dhe mos-saktësia e lojtarëve të klubit nga Andorra, bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar.
Në minutat e fundit, Drita tentoi të shënonte nga një goditje këndi, por Besnik Krasniqi nuk arriti ta devijonte topin në rrjetë pas harkimit në zonë.
Ndeshja e parë në Prishtinë ishte mbyllur 2-2, ndërsa pas 90 minutave në Andorra rezultati i përgjithshëm mbetet i barabartë. /Telegrafi/






