Bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Nepal ka vazhduar të rritet, ndërsa autoritetet po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura.
Policia nepaleze njoftoi se deri tani janë konfirmuar 389 persona të vdekur, 36 më shumë se në raportimin e mëparshëm, kur numri ishte 353 viktima.
Sipas të dhënave të policisë, numri më i madh i trupave është gjetur në distriktin Chitwan, ku janë konfirmuar 137 viktima. Në Nawalparasi Lindor janë gjetur 87 trupa, ndërsa 33 në Dhading, 32 në Gorkha, 28 në Nuwakot, 28 në Tanahun, 17 në Rasuwa dhe 27 në Nawalparasi Perëndimor.
Autoritetet bëjnë të ditur gjithashtu se të paktën 63 persona ndodhen aktualisht në trajtim në spitale, transmeton Telegrafi.
Përmasat e katastrofës vazhdojnë të bëhen më të qarta teksa ekipet emergjente po përpiqen të arrijnë zonat e izoluara nga uji, balta dhe dëmtimi i rrugëve e urave.
Përmbytjet e fuqishme kanë shkaktuar dëme të mëdha në komunitete, infrastrukturë dhe projekte energjetike, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të ndryshojë sërish gjatë orëve në vijim.






