Haxhiu në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah saj

Nacionale

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë pritur të hënën gazetarë ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës. Në fjalën e saj, Haxhiu tha se Kosova ka qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit […]

Madhësia e shkronjave

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë pritur të hënën gazetarë ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se Kosova ka qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus, duke theksuar se përvoja e luftës në Kosovë e ka bërë më të kuptueshme koston njerëzore të luftës.

“Historia jonë nuk është historia e Ukrainës, por na ka mësuar ta njohim çmimin njerëzor të luftës”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se Kosova e mbështet të drejtën e Ukrainës për ta përcaktuar vetë të ardhmen e saj, për ta mbrojtur territorin dhe për të jetuar e lirë.

Sipas saj, Kosova ka ndërmarrë edhe hapa konkretë në mbështetje të Ukrainës, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe harmonizimin me partnerët evropianë dhe transatlantikë.

Haxhiu përmendi edhe mbështetjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Jemi pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë edhe në kuadër të operacionit ‘Interflex’”, tha ajo.

Ajo shtoi se Kosova ka dhënë edhe dy pako ndihmë ushtarake për Ukrainën, të cilat përfshijnë 30 automjete ushtarake dhe 10 mijë predha mortajash.

Duke folur për gazetarët ukrainas që janë strehuar në Kosovë, Haxhiu tha se prania e tyre ka një domethënie të veçantë, duke e lidhur këtë me përvojën e Kosovës gjatë luftës.

“Gjatë luftës sonë e kuptuam sa e rëndësishme ishte që dikush ta dokumentonte atë që po ndodhte dhe të sigurohej që bota ta shihte”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se Kosova dëshiron paqe për Ukrainën, por theksoi se ajo duhet të jetë një paqe që ruan pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit.

“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës”, tha Haxhiu, duke uruar qytetarët ukrainas me rastin e Ditës së Pavarësisë. /Telegrafi/