Gjiganti rus i tregtisë elektronike Ozon bëri të ditur se katër nga qendrat e tij logjistike në jug të Rusisë u shënjestruan nga dronë ukrainas, në kuadër të një fushate të Kievit që synon të dëmtojë rrjetet e furnizimit dhe infrastrukturën tregtare të Rusisë.
Mbetjet e dronëve goditën gjithashtu ndërtesa banimi dhe shkaktuan zjarre në disa depo.
Një zjarr shpërtheu në një prej qendrave të Ozon në Makhachkala, kryeqyteti i Republikës së Dagestanit. Sipas autoriteteve, disa persona u plagosën, por gjendja e tyre nuk paraqet rrezik për jetën.
Një zjarr i madh u raportua edhe në një qendër tjetër logjistike të Ozon në Enem, në rajonin e Krasnodarit. Stafi u evakuua dhe, sipas raportimeve, nuk pati viktima.
Ndërkohë, qendrat logjistike të kompanisë në Adygeysk dhe Nevinnomyssk u evakuuan për shkak të kërcënimit nga sulmet me dronë, por nuk pësuan dëme.
Me incidentet e fundit, numri i objekteve të Ozon të shënjestruara që nga e shtuna ka shkuar në gjashtë. Kjo ndodhi pasi Ukraina njoftoi se po e zhvendoste fokusin e sulmeve drejt Ozon, tregut të dytë më të madh të shitjeve online në Rusi, pas disa javësh sulmesh ndaj rivalit të saj, Wildberries.






