Shqetësimet rreth gjendjes së Jamal Musialës janë shtuar pas dy episodeve të kolapsit që mesfushori i Bayern Munichut përjetoi në ndeshjet miqësore parasezonale ndaj RB Leipzigut dhe 1. FC Heidenheimit.
Megjithatë, Bayern Munich po e menaxhon situatën e 23-vjeçarit me një plan të qartë mjekësor. Prioriteti i menjëhershëm i klubit është ulja e intensitetit të stërvitjeve, paralelisht me përshtatjen e trajtimit që Musiala po ndjek.
Sipas raportimeve, reprezentuesi gjerman do të kryejë fillimisht tre deri në katër ditë stërvitje individuale, përpara se të rikthehet gradualisht në seancat me pjesën tjetër të skuadrës.
Në të njëjtën kohë, do të ndryshohet edhe doza e medikamenteve që ai po merr. Ky detaj është konfirmuar edhe nga drejtori sportiv i Bayern Munichut, Max Eberl.
Sipas raporteve mjekësore, pritet që të nevojiten rreth 10 deri në 14 ditë që doza e re e medikamenteve të japë efektin e plotë. Synimi kryesor është parandalimi i episodeve të tjera neurologjike dhe rikthimi i Musialës në një gjendje të qëndrueshme.
Situata nuk është e re për Bayern Munichun. Klubi ka qenë në dijeni prej kohësh për gjendjen e futbollistit, ndërsa edhe bashkëlojtarët e tij janë informuar dhe janë përgatitur për të vepruar në përputhje me situatën.
Po ashtu, stafi mjekësor i Kombëtares së Gjermanisë ishte në dijeni të gjendjes së tij gjatë Botërorit në Amerikën e Veriut.
Ky zhvillim vjen në një moment të pafavorshëm për Musialën, i cili së fundmi kishte nisur të rikthehej në formën e tij më të mirë pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak të dëmtimit.
Megjithatë, në këtë fazë, shëndeti i futbollistit mbetet prioriteti absolut i Bayern Munichut, me klubin që nuk dëshiron të marrë asnjë rrezik në lidhje me rikthimin e tij në fushë. /Telegrafi/






