Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e largimit të Lautaro Martinezit nga klubi, pavarësisht interesimit të raportuar nga Barcelona, duke insistuar se sulmuesi argjentinas është pjesë qendrore e planeve të “Nerazzurrëve”.
“Lautaro është kapiteni ynë, ai përfaqëson historinë e tanishme të Interit. Prandaj mund të them qartë se absolutisht nuk ekzistojnë kushtet që ai të largohet nga Interi”.
“Ne nuk duam të heqim dorë nga Lautaro në asnjë mënyrë dhe për asgjë. Kjo as nuk duhet të diskutohet”, deklaroi Marotta.
Presidenti i Interit foli edhe për planet e klubit në ditët e fundit të afatit kalimtar, duke zbuluar se “Nerazzurrët” mbeten vigjilentë ndaj mundësive të mundshme në treg.
“Jemi vigjilentë ndaj mundësive të mundshme në këtë fazë të fundit të afatit kalimtar, dhe e gjithë kjo bëhet në koordinim përmes diskutimeve me trajnerin”, shtoi ai.
Marotta theksoi se pronarët e Interit janë të gatshëm të investojnë nëse shfaqet mundësia e duhur, megjithëse klubi do të shqyrtojë vetëm afrimin e lojtarëve që mund ta përforcojnë ndjeshëm skuadrën.
“Gjithashtu falë gatishmërisë së pronarëve tanë, ne kemi bërë investime të tjera së bashku me ta. Dhe nëse ka nevojë, do të investojmë përsëri”.
“Por vetëm për profile të rëndësishme, edhe pse skuadra tashmë është konkurruese”, përfundoi Marotta./Telegrafi/






