Interi e ka nisur me këmbën e mbarë sezonin 2026/27 në Serie A, duke triumfuar 4-1 ndaj Monzës në kuadër të javës së parë të kampionatit italian.
“Nerazzurrët” e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e gjashtë.
Hakan Calhanoglu mori një pasim nga Andy Diouf dhe, pas një kontrolli të mirë, lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca që përfundoi në rrjetë për 1-0.

Monza reagoi pas disavantazhit dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 29-të. Mathis Mout shërbeu Gustavo Varelan brenda zonës, ndërsa ky i fundit u tregua i saktë përballë portierit të Interit, duke realizuar për 1-1.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa Interi shpërtheu menjëherë pas pushimit.
Në minutën e tetë, portieri i Monzës, Semuel Pizzignacco, bëri një gabim të rëndë duke goditur keq topin, i cili përfundoi te Piotr Zielinski. Mesfushori polak nuk fali dhe nga distanca e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.
Interi vazhdoi dominimin dhe vetëm gjashtë minuta më vonë e thelloi epërsinë. Francesco Pio Esposito finalizoi një aksion të bukur me një goditje elegante me thembër, pas asistimit të Andy Diouf, duke çuar rezultatin në 3-1.
“Nerazzurrët” nuk u ndalën dhe në minutën e 63-të shënuan edhe golin e katërt. Yann Bisseck mori topin në hapësirë në hyrje të zonës dhe goditi fuqishëm, me topin që u devijua dhe përfundoi pas shpinës së Pizzignaccos për 4-1.
Monza tentoi të rikthehej në lojë dhe pati një mundësi të mirë në minutën e 76-të, kur Samuele Birindelli goditi drejt këndit të poshtëm, por Josep Martinez reagoi mirë dhe e ndali tentativën./Telegrafi/





