Dëbohet nga Zvicra një shqiptar nga Maqedonia e Veriut për shkak të përkrahjes së “Shtetit Islamik”

Nacionale

Gjykata Administrative Federale e Zvicrës ka konfirmuar vendimin për dëbimin e një shtetasi 35-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pasi Zyra Federale e Policisë (Fedpol) e akuzon atë për mbështetje të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS). Ndaj tij është vendosur gjithashtu një ndalesë hyrjeje prej 20 vjetësh në Zvicër dhe në Principatën e Liechtensteinit. Sipas aktvendimit […]

Madhësia e shkronjave

Gjykata Administrative Federale e Zvicrës ka konfirmuar vendimin për dëbimin e një shtetasi 35-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pasi Zyra Federale e Policisë (Fedpol) e akuzon atë për mbështetje të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS).

Ndaj tij është vendosur gjithashtu një ndalesë hyrjeje prej 20 vjetësh në Zvicër dhe në Principatën e Liechtensteinit.

Sipas aktvendimit të gjykatës, masa e dëbimit konsiderohet proporcionale, duke hedhur poshtë ankesën e bërë nga 35-vjeçari.

Zyra e Policisë Federale e kishte urdhëruar dëbimin e tij që në vitin 2022, me konstatimin se ai është i radikalizuar.

Siç thuhet në vendimin e gjykatës, i dënuari kishte bërë propagandë për ideologjinë e “Shtetit Islamik” në rrjetet sociale, si dhe e kishte mbështetur këtë organizatë terroriste me logjistikë dhe financa.

Shtetasi nga Maqedonia e Veriut kishte ardhur në Zvicër në vitin 2014. Ai është i martuar me një grua nga Kosova dhe së bashku kanë tre fëmijë. Anëtarët e familjes së tij posedojnë leje qëndrimi të përhershme në Zvicër.

Gjykata Administrative Federale ka pranuar se dëbimi i tij përbën një ndërhyrje në jetën familjare, mirëpo ka vlerësuar se familja mund ta vizitojë atë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas trupit gjykues, interesi publik për dëbimin e tij për shkak të sigurisë është më i madh se interesi privat i personit për të qëndruar në Zvicër. Ky vendim i Gjallërisë Administrative Federale është i prerë dhe nuk mund të apelohet më tutje në Gjykatën Federale./Telegrafi.