Nuk është kafeina ajo që po tërheq vëmendjen – disa përbërës të kafesë mund të aktivizojnë një proteinë që mbron qelizat nga dëmtimet e lidhura me moshën
Kafeja prej kohësh është lidhur me një rrezik më të ulët për një sërë sëmundjesh kronike, ndërsa një studim i ri sjell një shpjegim të mundshëm se pse mund të jetë kështu. Shkencëtarët kanë zbuluar se polifenolet dhe përbërës të tjerë bioaktivë të kafesë mund të aktivizojnë proteinën NR4A1, e cila luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e qelizave nga inflamacioni, stresi oksidativ dhe dëmtimet që lidhen me plakjen.
Zakonet e shëndetshme mund ta ngadalësojnë plakjen biologjike
Edhe pse rezultatet janë premtuese, ekspertët theksojnë se hulumtimi deri tani është kryer në modele qelizore. Prandaj, ende nuk ka prova se pirja e kafesë e ngadalëson drejtpërdrejt plakjen ose parandalon sëmundje si Alzheimeri.

Plakja është një proces natyror që nuk mund të ndalet, por studime të shumta tregojnë se disa zakone të jetesës mund të kontribuojnë në një plakje më të shëndetshme. Aktiviteti i rregullt fizik, shmangia e duhanpirjes dhe një ushqyerje e ekuilibruar, e pasur me ushqime bimore, janë ndër faktorët më të rëndësishëm.
Vëmendje të veçantë vitet e fundit kanë tërhequr polifenolet – përbërës natyralë bimorë që mund të ulin dëmtimin e qelizave dhe të zbusin proceset kronike inflamatore në organizëm. Ato gjenden në ushqime si frutat e pyllit, shega, angjinarja, spinaqi, çokollata e zezë, vaji i ullirit ekstra i virgjër, arrat, çaji i gjelbër dhe i zi, si dhe kafeja.
“Plakja dhe zhvillimi i sëmundjeve kronike të lidhura me moshën janë pjesë e jetës, por mënyra e ushqyerjes dhe stili i jetesës mund ta ngadalësojnë këtë proces. Për shembull, njerëzit që jetojnë në të ashtuquajturat Zona Blu, si dhe ata që pinë rregullisht kafe, mesatarisht jetojnë më gjatë dhe kanë më pak probleme shëndetësore të lidhura me plakjen”, shpjegon dr. Stephen Safe, profesor i toksikologjisë veterinare në Universitetin Texas A&M dhe autori kryesor i studimit të publikuar në revistën Nutrients, përcjell Telegrafi.
Studiuesit analizuan në disa modele qelizore mënyrën se si polifenolet dhe përbërës të tjerë të kafesë ndikojnë në proteinën NR4A1, e cila merr pjesë në reagimin e organizmit ndaj stresit oksidativ dhe inflamator.
Studimet e mëparshme kanë treguar se niveli i kësaj proteine te njerëzit ulet me kalimin e moshës. Te minjtë të cilëve u mungonte NR4A1, jetëgjatësia ishte më e shkurtër, ndërsa u tregua gjithashtu se kjo proteinë mbron indet dhe qelizat nga dëmtimet.
Në fund të hulumtimit, shkencëtarët konstatuan se disa përbërës të kafesë, përfshirë acidin kafeik, lidhen me proteinën NR4A1 dhe e aktivizojnë atë. Sipas autorëve, kjo mund të ndihmojë në reduktimin e dëmtimit të qelizave dhe në forcimin e mbrojtjes ndaj sëmundjeve të lidhura me plakjen.
“Tani kemi të paktën një mekanizëm të mundshëm biologjik që shpjegon një pjesë të efektit mbrojtës të kafesë, të vërejtur në studimet e popullatave. Në të njëjtën kohë, rezultatet tregojnë se NR4A1 mund të bëhet një objektiv i rëndësishëm për zhvillimin e barnave dhe produkteve nutraceutike”, thekson dr. Safe.
Qëllimi nuk është vetëm të jetojmë më gjatë, por edhe më shëndetshëm
Ekspertët kujtojnë se plakja kronologjike nuk mund të ndalet, por mund të ndikojmë në mënyrën se si plakemi.
“Nuk mjafton vetëm zgjatja e jetëgjatësisë. Shumë më e rëndësishme është të zgjasim vitet e jetës në gjendje të mirë shëndetësore, pa paaftësi, rënie të aftësive njohëse dhe sëmundje kronike. Edhe shtyrja e shfaqjes së tyre për disa vite mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve dhe të lehtësojë barrën mbi sistemin shëndetësor”, thekson dr. Dung Trinh.
Megjithatë, ai thekson se për zhvillimin e strategjive të reja parandaluese, biomarkerëve dhe trajtimeve të mundshme nevojiten studime klinike serioze te njerëzit.
A mund të aktivizohet NR4A1 edhe pa kafe?
Aktualisht nuk ka prova që ndonjë regjim ushqimor, suplement apo zakon i caktuar i jetesës të aktivizojë në mënyrë të besueshme këtë proteinë te njerëzit.
Është interesante se përbërësit kryesorë aktivë në këtë studim nuk ishin kafeina, por polifenolet bimore, si acidi kafeik, acidi klorogjenik dhe acidi ferulik. Përbërje të ngjashme gjenden edhe në shumë lloje frutash, perimesh dhe ushqime të tjera bimore.
Studimet e mëparshme laboratorike kanë veçuar edhe resveratrolin, kuercetinën dhe kaempferolin si aktivizues të mundshëm të proteinës NR4A1.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse konsumimi i këtyre ushqimeve siguron sasi të mjaftueshme të substancave aktive në organizmin e njeriut për të shkaktuar një efekt biologjik të rëndësishëm.
Çfarë ka më shumë prova shkencore deri tani?
Për personat që nuk pinë kafe, rekomandimet e ekspertëve mbeten të njëjta:
“Këto zakone kanë mbështetje shkencore shumë më të fortë sesa përpjekjet për të aktivizuar një proteinë të vetme përmes një ushqimi ose suplementi të caktuar”, përfundon Trinh.
A është kafeja vërtet një pije kundër plakjes?
Dr. Dung Trinh, internist në MemorialCare Medical Group dhe drejtor i Healthy Brain Clinic në Kaliforni, i cili nuk mori pjesë në studim, mendon se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes.
“Studimi ofron një shpjegim interesant biologjik për përfitimet shëndetësore që prej kohësh lidhen me kafenë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë kryesisht për një studim laboratorik në qeliza, dhe jo për një studim klinik që tregon se kafeja e ngadalëson plakjen ose parandalon sëmundje si Alzheimeri”, thotë Trinh.
Sipas tij, ky hulumtim është një e dhënë e rëndësishme që mund të orientojë studimet e ardhshme, por nuk është provë se kafeja vepron si një trajtim kundër plakjes. /Telegrafi/





