Drejtori ekzekutiv i fondit sovran të pasurisë së Norvegjisë, fondi më i madh i këtij lloji në botë, ka paralajmëruar se vlera e tij prej 2 trilionë dollarësh mund të pësojë humbje të mëdha dhe madje të zhduket tërësisht në rast të një kolapsi të tregjeve.
Fondi norvegjez investon të ardhurat nga prodhimi i naftës dhe gazit të vendit në aksione, obligacione, prona dhe projekte të energjisë së rinovueshme jashtë Norvegjisë. Vlera e tij është dyfishuar në më pak se një dekadë, duke arritur në 1 trilion dollarë në vitin 2017.
Drejtori i fondit, Nicolai Tangen, tha se dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet financiare duke ngritur pyetjen nëse “fondi i naftës” mund të zhduket.
“Përgjigjja është po dhe më e keqja është se, në botën ku jetojmë tani, kjo nuk është plotësisht e pamundur”, deklaroi Tangen.
Ai tha se tri dekadat e fundit janë karakterizuar nga një situatë “jonormale”, me taksa, inflacion dhe norma interesi të ulëta, periudhë gjatë së cilës fondi është rritur ndjeshëm.
Në një intervistë për Reuters, Tangen nuk përmendi ndonjë zhvillim të fundit të tregjeve që e shqetëson konkretisht, por vuri në dukje ngjashmëri me periudhën para Depresionit të Madh të vitit 1929, përfshirë tarifat tregtare.
Megjithatë, ai theksoi se tregjet po vazhdojnë të rriten pavarësisht lajmeve negative dhe se ekonomia globale ka treguar më shumë qëndrueshmëri sesa në të kaluarën. /Telegrafi/






