Barcelona po punon për largimin e disa futbollistëve në mënyrë që të krijojë hapësirë financiare për përforcimet e planifikuara gjatë këtij afati kalimtar.
Një nga lojtarët që mund të largohet është Marc Casado, mesfushori 22-vjeçar i dalë nga akademia e klubit.
Sipas raportimeve nga Spanja, Casado nuk bën pjesë në planet e trajnerit Hansi Flick, ndërsa drejtuesit katalanas kanë nisur të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e shitjes së tij.
Barcelona kërkon rreth 40 milionë euro për kartonin e mesfushorit dhe tashmë ka kontakte me klubet saudite Al Hilal dhe Al Ahli.
Pavarësisht interesimit nga Arabia Saudite, Casado nuk dëshiron të marrë një vendim të nxituar për të ardhmen e tij.
Mesfushori preferon një klub që merr pjesë në garat evropiane dhe do të presë të shohë nëse do të ketë oferta konkrete nga klubet e Evropës.
Largimi nga Barcelona nuk ka qenë një vendim i lehtë për 22-vjeçarin, i cili është rritur në akademinë e klubit.
Megjithatë, ai ka vendosur të mos pengojë klubin në përpjekjet për të realizuar transferimin dhe për të përmirësuar situatën financiare.
Tashmë, agjentët e Casados pritet t’i paraqesin drejtuesve të Barcelonës alternativat që mund të vijnë nga klubet evropiane.
Nëse asnjëra prej tyre nuk është e gatshme të paguajë 40 milionë eurot e kërkuara nga katalanasit, Barcelona mund të rikthehet te negociatat me Al Hilal ose Al Ahli.
Sipas raportimeve, drejtuesit blaugrana synojnë që çështja të zgjidhet deri më 20 gusht, pasi të ardhurat nga shitja e Casados do t’i jepnin klubit më shumë hapësirë financiare për të tentuar transferimet e Rodrit dhe Julian Alvarezit. /Telegrafi/






