Chelsea dhe Manchester Unitedi kanë marrë mundësinë për të transferuar mesfushorin e Arsenalit, Myles Lewis-Skelly, me “Topçinjtë” që raportohet se mund të jenë të hapur për shitjen e tij pas transferimit të Bruno Guimaraes për 75 milionë euro.
Myles Lewis-Skelly, 19-vjeçari i dalë nga akademia e Arsenalit, Hale End, zhvilloi 36 paraqitje për skuadrën londineze sezonin e kaluar, por vetëm në 19 prej tyre ishte titullar.
Sipas raportimeve, Arsenali mund ta konsiderojë seriozisht një ofertë të majme për talentin anglez, veçanërisht nga Chelsea, pasi klubi londinez thuhet se do ta kishte shumë të vështirë të refuzonte një propozim të rëndësishëm për të.

Lewis-Skelly ka nisur nga minuta e parë në të gjitha ndeshjet e Arsenalit gjatë fazës përgatitore, duke luajtur në rolin e mesfushorit defensiv.
Kjo ka ardhur si pasojë e mungesave të Declan Rice, Martin Zubimendit dhe Mikel Merinos.
Ndërkohë, Chelsea e ka ndjekur prej kohësh situatën e Lewis-Skellyt. “Blutë” e vlerësojnë veçanërisht për shkak të fleksibilitetit të tij, pasi përveç mesfushës mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë.
19-vjeçari la përshtypje të shkëlqyera sezonin e kaluar në rolin e “left-eight”, duke fituar edhe një vend titullari për Arsenalin në finalen e Ligës së Kampionëve.
Chelsea ka investuar tashmë më shumë se 270 milionë euro për 10 transferime gjatë kësaj vere dhe tani mund të shqyrtojë mundësinë për të afruar edhe Lewis-Skellyn.
Në garë për shërbimet e tij është edhe Manchester Unitedi, që gjithashtu është informuar për mundësinë e transferimit të talentit të Arsenalit. /Telegrafi/





