Albi Mall do të vazhdojë si sponsori gjeneral i Superligës së Kosovës edhe për sezonin e ardhshëm 2026/27.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me partnerin kryesor Albi Mall, ka zhvilluar një takim me klubet, trajnerët, futbollistët dhe përfaqësuesit e mediave, në prag të fillimit të edicionit 2026/27, i cili nis më 15 gusht.
Takimi u mbajt në ambientet e Albi Mall, në sallën e Cineplexx, ku të pranishëm ishin presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përfaqësues i Albi Mall, Albi Humolli, si dhe përfaqësues të futbollit kosovar .
Ademi falënderoi sportistët dhe klubet për kontributin e dhënë ngase falë tyre, Kosova ka një nga ligat më të mira në Ballkan.
“Falë jush dhe aktivitetit tuaj, liga jonë është vlerësuar dhe thuajse më e mira në Ballkan në renditjen e UEFA-s. Kjo është kënaqësi kur e sheh për këtë periudhë që kemi mbërritur në këtë pozicion, që është vendi i 34-të. Ekipet tona kanë bërë koeficiente dhe rezultate në arenën ndërkombëtare dhe kjo rezultoi me shkuarjen e disa futbollistëve direkt në ligat më të rëndësishme”.
Ai gjithashtu shtoi se tani trajnerët mund të aplikojnë direkt për licencë në UEFA, si dhe tifozët do të mund të shikojnë disa ndeshje nën dritat e reflektorëve.
“Me angazhimin tuaj, kjo ligë po arrin të ketë profesionalizëm dhe ekonomi. Sot kemi dy risi, njëra që secili trajner mund të aplikojë për licencë në UEFA. Po ashtu sivjet më shumë ndeshje do të shohim në qytetet tona nën dritat e reflektorëve, sepse kemi nisur projektin e ndriçimit të stadiumeve dhe do të vazhdojë, ka me qenë në shumë qytete”.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Albi Mall, Albi Humolli shtoi se do të vazhdojnë të jenë afër FFK-së, me synimin që të bashkojnë njerëz dhe të frymëzojnë gjeneratat e reja.
“Është ditë e veçantë për Albi Mall sepse kemi vendosur ta vazhdojmë partneritetin tonë me FFK-në për të qenë sponsor gjeneral. Për Albi Mall vazhdon të jetë më shumë se angazhim sepse është investim në futbollin vendor. Jemi krenar që jemi pranë FFK-së, klubeve, lojtarëve dhe tifozëve”.
“Ne besojmë se sporti ka rol të jashtëzakonshëm në bashkimin e njerëzve, në frymëzimin e gjeneratave të reja dhe promovimin e vlerave të rëndësishme si puna, respekti dhe këmbëngulja për ta arritur suksesin. Së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë histori të tjera suksese”./Telegrafi/






