Një nga mënyrat më të zakonshme për të përqeshur një protestë në Shqipëri është numërimi i pjesëmarrësve. Sa veta ishin? Pesëqind? Pesë mijë? Pastaj vjen fotografia nga droni, krahasimi me popullsinë e vendit dhe përfundimi triumfues qeveritar se protesta dështoi. Në këtë mënyrë krijohet përshtypja sikur fuqia e një proteste matet njësoj si audienca e një koncerti ku kinse sa më shumë njerëz në shesh aq më i rëndësishëm i bie të jetë artisti. Mirëpo, historia e lëvizjeve shoqërore tregon se regjimet e konsoliduara nuk shqetësohen vetëm nga protestat e mëdha. Ndonjëherë janë pikërisht protestat e vogla, këmbëngulëse që përmbajnë rrezikun më të madh afatgjatë. Jo sepse tre mijë , pesë mijë apo dhjetë mijë njerëz stoik mund të rrëzojnë tak-fak një qeveri, por sepse mund të krijojnë precedent. Dhe, në një sistem ku një pjesë e rëndësishme e fuqisë së pushtetit mbështetet te perceptimi se ai është i pathyeshëm, precedenti mund të jetë më i rrezikshëm sesa turma masive.
Kjo nuk do të thotë se numrat nuk kanë rëndësi apo se çdo protestë e vogël përmban domosdoshmërisht potencial të madh politik. Shumë protesta të vogla mbeten të izoluara dhe shuhen pa lënë ndonjë ndikim të qëndrueshëm. Rëndësia fillon të ndryshojë kur numrit të vogël i shtohen faktorë të tjerë si vazhdimësia, legjitimiteti i kauzës, dukshmëria publike, aftësia për të krijuar rrjete dhe për të tërhequr solidaritet, si edhe rezultatet konkrete. Është pikërisht ky kombinim që mund ta shndërrojë një mobilizim të kufizuar në një fenomen me ndikim shumë më të gjerë se numri i njerëzve që shihen në shesh.
Çdo pushtet i fortë përpiqet të krijojë rreth vetes një mit të pashmangshmërisë apo pathyeshmërisë. Mesazhi nuk është domosdoshmërisht se pushteti ka gjithmonë të drejtë apo efikas. Mesazhi shumë më efikas është se kundërshtimi është i kotë, nuk ia vlen të përpiqesh. Thënë ndryshe, mund të protestosh, por asgjë nuk ndryshon; mund të ankohesh, por vendimi është marrë; mund të organizohesh, por në fund do të lodhesh. Pas një kohe, qytetari fillon ta përvetësojë këtë bindje dhe elita nuk ka më nevojë ta pengojë të protestojë sepse qytetari pengon vetveten. Prandaj një protestë e vogël që vazhdon dhe sjell pasoja mund të jetë shumë më problematike për establishmentin sesa një protestë shumë më e madhe që shpërndahet pa rezultat..
Këtu hyn sociologu amerikan Mark Granovetter dhe modeli i tij i pragjeve të sjelljes kolektive. Ai mendon se njerëzit kanë pragje të ndryshme për t’iu bashkuar një veprimi kolektiv. Dikush është i gatshëm të protestojë edhe kur është pothuajse vetëm. Një tjetër del vetëm pasi sheh njëqind njerëz në rrugë; dikush tjetër kërkon pesëqind; një tjetër disa mijëra. Vendimi për të protestuar, pra, nuk varet vetëm nga niveli i pakënaqësisë personale. Varet edhe nga perceptimi se sa njerëz të tjerë janë të gatshëm të veprojnë.
Në shkencat shoqërore, një pjesë e kësaj dinamike mund të kuptohet përmes asaj që quhet “demonstration effect” – efekti i demonstrimit. Njerëzit nuk vendosin nëse do të mobilizohen vetëm duke vlerësuar problemin e tyre. Ata vëzhgojnë edhe çfarë u ndodh të tjerëve. Nëse një komunitet proteston, lodhet dhe dështon, mesazhi që përhapet është se rezistenca kushton dhe nuk jep rezultat. Por nëse një komunitet relativisht i vogël organizohet dhe arrin të ndryshojë një vendim, informacioni që përhapet në shoqëri është se rezistenca mund të funksionojë.
Por, që këta mekanizma të kenë kohë të veprojnë, duhet edhe vazhdimësia që Revolucioni i Flamingove ka demonstruar. Një protestë njëditore mund të interpretohet si shpërthim momental pakënaqësie mirëpo një protestë që mbijeton për më shumë se dy muaj tregon se problemi nuk është zhdukur, pakënaqësia nuk është konsumuar dhe strategjia e pritjes që protestuesit të lodhen nuk ka funksionuar. Çdo ditë shtesë ia vështirëson klikës sunduese mbylljen e çështjes përmes harresës dhe e mban kauzën në qendër të debatit. Nëse Qeveria, Parlamenti, televizionet dhe institucionet detyrohen të flasin për një çështje që përndryshe do ta injoronin, protesta ka prodhuar efekt politik edhe pa mbushur bulevardin. Sipas studiuesve pushteti nuk është vetëm aftësia për të marrë vendime, por edhe për të përcaktuar se për çfarë flitet.
Vazhdimësia konsumon gjithashtu aftësinë e pushtetit për të kontrolluar narrativën, sepse çdo reagim, heshtje apo kundërpërgjigje bëhet vetë pjesë e lajmit. Reagimi i establishmentit është vetë një tregues i ndikimit . Nëse një protestë kinse e parëndësishme prodhon deklarata të vazhdueshme, kundërnarrativa, sulme, masa administrative, ndryshime projektesh apo përpjekje për ta delegjitimuar, ekziston një paradoks: vetë energjia që pushteti shpenzon kundër saj tregon se nuk e konsideron aq të parëndësishme sa pretendon. Nëse është vërtet kaq e parëndësishme, përse duhet kaq shumë energji për të bindur publikun se është e parëndësishme? Për më tepër, vazhdimi i protestës rrit gradualisht koston politike dhe reputacionale, sidomos kur mbulimi mediatik kalon kufijtë e vendit dhe krijon një gjurmë digjitale që nuk zhduket bashkë me ciklin e lajmeve. Me kalimin e kohës normalizohet edhe vetë akti i kundërshtimit, ulet frika e pjesëmarrjes dhe rritet mundësia që protesta të prodhojë momente të reja mobilizimi.
Vazhdimësia i jep kohë edhe mekanizmit të pragjeve të Granovetterit. Njerëzit që nuk u bashkuan ditën e parë mund ta bëjnë këtë pas dy muajsh; ata që prisnin të shihnin nëse protesta do të shuhej, mund të ndryshojnë qëndrim kur shohin se ajo vazhdon. Sa më gjatë të jetë e dukshme një protestë, aq më shumë njerëz kanë mundësi ta vëzhgojnë, ta vlerësojnë, të vetëdijesohen për kauzat e ngritura dhe ta konsiderojnë pjesëmarrjen e tyre. Në këtë mënyrë koha, të cilën establishmenti zakonisht e llogarit si aleate të lodhjes dhe harresës, mund të kthehet gradualisht në një burim force për protestën.
Përpos këtyre, lëvizja po prodhon gjithashtu diçka më pak të dukshme, por po aq të rëndësishme. Gjatë protestës krijohen njohje, lidhje dhe besim mes njerëzve; lindin simbole dhe forma komunikimi; fitohet përvojë organizative dhe ndërtohen rrjete që mund të aktivizohen përsëri. Në këtë kuptim, protesta nuk është vetëm turma që shfaqet në një fotografi. Është edhe një proces që mund të krijojë infrastrukturë të re të shoqërisë civile apo të kapitalit social.
Për më tepër, në epokën digjitale është gjithnjë e më e gabuar të barazosh përmasën e një lëvizjeje me fotografinë e turmës në shesh. Protesta bashkëkohore zhvillohet njëkohësisht në disa hapësira; pra jo vetëm në rrugë por edhe në media, në diasporë dhe në rrjetet sociale. Një protestë prej disa mijëra vetash mund të ndiqet nga dhjetëra apo qindra mijëra të tjerë online. Fotografitë, videot, memet, hashtagët, komentet dhe shpërndarjet mund ta mbajnë një çështje në qarkullim shumë kohë pasi turma është larguar nga sheshi. Diaspora tashmë e ka riprodhuar kauzën në dhjetëra qytete dhe vende të tjera, ndërsa vëmendja e mediave ndërkombëtare mund ta nxjerrë një konflikt lokal përpara një audience shumë më të madhe dhe t’i shtojë qeverisë një kosto reputacionale që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me numrin e protestuesve të një mbrëmjeje në bulevard.
Kjo do të thotë se ekzistojnë të paktën dy përmasa të një proteste; pjesëmarrja fizike dhe rrezja e ndikimit të saj. Ato mund të përputhen, por jo domosdoshmërisht. Një protestë mund të jetë relativisht e vogël në shesh dhe shumë më e madhe si fenomen komunikimi, simbolik dhe politik. Nga ky kënd duhet parë edhe Revolucioni i Flamingove. Rëndësia e tij nuk mund të matet vetëm me numrin e njerëzve që ndodhen fizikisht në protestë në një ditë të caktuar. Marshimet, instalacionet, aksionet simbolike, flamingot dhe vazhdimësia e protestës e mbajnë kundërshtimin publik dhe nuk e lejojnë të rikthehet në pakënaqësi private. Gumëzhima në rrjetet sociale, jehona në diasporë dhe vëmendja mediatike brenda e jashtë vendit e zgjerojnë më tej hapësirën ku zhvillohet protesta.
Gjithashtu duhet theksuar se, protestuesit janë vetëm pjesa e dukshme e mbështetjes. Numri i njerëzve në shesh nuk është sondazh elektoral dhe as referendum mbi kauzën. Për çdo qytetar që proteston mund të ketë shumë të tjerë që pajtohen me të, por nuk dalin për shkak të punës, largësisë, emigracionit, detyrimeve familjare, varësisë ekonomike apo frikës nga pasojat. Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri ku marrëdhënia me administratën, punësimin publik, lejet, tenderët apo rrjetet e patronazhit mund ta rrisë tej mase koston personale të kundërshtimit.
Këtu duhet theksuar se përderisa qeveria, parlamenti, televizionet dhe institucionet detyrohen të flasin për një çështje që përndryshe do ta injoronin, protesta ka prodhuar efekt politik edhe pa mbushur çdo ditë përplot bulevardin. Në shkencën politike pushteti nuk është vetëm aftësia për të marrë vendime, por edhe për të përcaktuar se për çfarë flitet. Pra nëse një mobilizim qytetar, edhe relativisht i vogël, arrin të vendosë një çështje në agjendën publike, të prodhojë kosto politike dhe të ndikojë mbi një vendimmarrje (që deri dje dukej e pakthyeshme), atëherë rezultati më i rëndësishëm nuk është vetëm fotografia e turmës por prova se organizimi qytetar mund të funksionojë. Dhe kjo provë udhëton nga një komunitet tek tjetri. E shohin 15 komunitete lokale që po protestojnë të indinjuar që po eliminohet bashkia e tyre. E panë banorët e Dardhës në Librazhd që kundërshtojnë një hidrocentral që prek burimin e tyre të ujit. E panë banorët e Bregut që hoqën rrethimin në Kakome. E shohin banorët e Mirakës që protestojnë sepse ndihen të izoluar nga infrastruktura e re.
Prandaj, shqetësimi i një kastës qeverisëse fillon kur një protestë e vogël krijon një shembull që mund të përsëritet. Një komunitet ndalon një projekt, një tjetër detyron një institucion të tërhiqet dhe një tjetër fiton kurajën për të kundërshtuar vendimin e radhës. Çdo rezultat i tillë krijon kujtesë dhe çdo precedent e bën pak më të lehtë precedentin tjetër. Pikërisht për këtë arsye numërohen me kaq zell protestuesit, ironizohet pjesëmarrja dhe shpallet vazhdimisht fundi i protestës. Duhet të mbetet e paprekur bindja se përpjekja nuk sjell fryte. Kur kjo bindje fillon të dobësohet, dobësohet bashkë me të edhe një pjesë e mitit të pathyeshmërisë së qeverisë.
Prandaj, fotografia nga droni mund të jetë mënyra më e gabuar për të fotografuar fuqinë e një proteste. Ajo tregon sa njerëz ndodheshin në bulevard në një moment të caktuar dhe nuk mund të tregojë sa të tjerë po e ndiqnin, sa po ndryshonin mendim, sa po kapërcenin pragun e tyre dhe sa komunitete po mësonin prej saj. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e Revolucionit të Flamingove. Çdo ditë që vazhdon, çdo rezultat që arrin dhe çdo komunitet që frymëzon e zgjeron ndikimin e tij përtej njerëzve që shihen në shesh. Pushtetet e forta e kuptojnë mirë këtë mekanizëm. Një protestë e vogël fillon të bëhet vërtet e rrezikshme kur gjithnjë e më shumë qytetarë kuptojnë se edhe ata mund ta detyrojnë pushtetin të dëgjojë.






