Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës dhe mosnjohjes së pavarësisë së saj mbetet i pandryshuar.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Serbia mund të llogarisë ende në qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur të Kosovës, ai tha se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve dhe të drejtën ndërkombëtare.

“Prandaj, qëndrimi ynë lidhur me atë që përmendët – shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës – mbetet i pandryshuar”, deklaroi lideri ukrainas.
Ai theksoi se Ukraina është mirënjohëse ndaj partnerëve që respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, duke përfshirë qëndrimin se Krimea i përket Ukrainës.
“Po ashtu, jemi mirënjohës ndaj partnerëve tanë që respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, përfshirë, natyrisht, faktin se Krimea i përket Ukrainës”, tha Zelensky.
Presidenti ukraians iu referua edhe qëndrimit të Serbisë ndaj çështjes së integritetit territorial të Ukrainës, duke theksuar se edhe Beogradi nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij.
“Edhe qëndrimi i Serbisë për këtë çështje mbetet i pandryshuar”, përfundoi presidenti ukrainas. /Telegrafi/





