Kurti pret admiralin amerikan Wikoff, diskutohet forcimi i partneritetit me NATO-n

Nacionale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, admiralin amerikan George M. Wikoff, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për situatën e […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, admiralin amerikan George M. Wikoff, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të vendit dhe NATO-s, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për përkushtimin e NATO-s, përmes misionit të KFOR-it, në krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për kontributin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se ky ishte takimi i dytë me admiralin amerikan, pas atij të zhvilluar në janar.

“Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se me admiralin Wikoff ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë dhe bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike, me fokus ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend dhe rajon. /Telegrafi/