Dy herë kampioni i Kupës së Botës, Ronaldo Nazario da Lima, ka folur për gjendjen fizike të Cristiano Ronaldos dhe Neymarit.
Legjenda braziliane beson se të dy lojtarët kanë arritur në një pikë ku dëshira e tyre për të vazhduar karrierën nuk përputhet më me aftësitë e tyre fizike.

“Zakonisht, trupi yt të paralajmëron kur nuk mund të përballosh më. Mendoj se si Cristiano ashtu edhe Neymar kanë arritur në pikën ku duhet të pajtohen me trupat e tyre. Të fitosh këtë betejë kundër trupit tënd është vërtet shumë e vështirë”, ka thënë fillimisht Ronaldo për ESPN Brasil.
“Ndoshta Cristiano është ende i aftë të luajë në Arabinë Saudite, por të luash në Kupën e Botës, siç e dimë, është shumë më e vështirë – niveli është shumë më i lartë”.
“Pavarësisht pasionit tonë, dashurisë sonë për futbollin dhe dëshirës sonë për të luajtur përgjithmonë, mendoj se në fund të fundit, trupi vendos gjithçka”.
“Unë nuk luaj futboll tani sepse mendja ime punon në një mënyrë që trupi im thjesht nuk mund ta përballojë”, përfundoi “Fenomeni”. /Telegrafi/





