Skandal në Francë: Emri i ish-yllit të Arsenalit del në hetimet për pastrim parash dhe trafik droge

Sport

Ish-futbollisti i Arsenalit dhe Manchester Cityt, Samir Nasri, është marrë në pyetje nga policia franceze si pjesë e një hetimi të gjerë për pastrim parash, i lidhur me një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës. Sipas raportimit të Le Parisien, ish-reprezentuesi i Francës u mor në pyetje për rreth 10 orë të enjten, në […]

Madhësia e shkronjave

Ish-futbollisti i Arsenalit dhe Manchester Cityt, Samir Nasri, është marrë në pyetje nga policia franceze si pjesë e një hetimi të gjerë për pastrim parash, i lidhur me një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës.

Sipas raportimit të Le Parisien, ish-reprezentuesi i Francës u mor në pyetje për rreth 10 orë të enjten, në kuadër të një hetimi që përfshin akuza për importim droge, organizatë kriminale dhe pastrim të parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve.

Megjithatë, 39-vjeçari u lirua në mbrëmje pa asnjë akuzë zyrtare dhe deri më tani nuk është iniciuar asnjë procedurë ligjore ndaj tij.

Hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të Nasrit me një rrjet kriminal që dyshohet se drejtohej nga trafikanti i burgosur nga Marseille, Berrebouh, i njohur me nofkën “Derri i Egër”, i cili ndodhet në burg që nga viti 2021.

Sipas mediave franceze, një pjesë e hetimit fokusohet te dyshimet për pastrim të organizuar parash përmes klubit të natës XS, në Ivry-sur-Seine, në periferi të Parisit.

Nasri u bë aksionar i këtij lokali rreth vitit 2016, pasi raportohet se investoi disa qindra mijëra euro në kohën kur aktivizohej te Manchester City dhe përfitonte paga milionëshe.

Më vonë, ish-mesfushori francez u bë bashkëpronar i klubit të natës së bashku me Bilele Z., një person që sipas hetuesve konsiderohet pjesë e rrjetit të dyshuar kriminal dhe i cili gjithashtu u ndalua nga policia të enjten.

Ndërkohë, autoritetet franceze vazhdojnë hetimet për të përcaktuar nëse Nasri ka pasur ndonjë rol në skemën e dyshuar të pastrimit të parave, ndërsa deri në këtë fazë ai nuk është akuzuar për asnjë vepër penale./Telegrafi/