“Pas çdo ekzaminimi është jeta e një njeriu”, radiologu Ilir Ahmetxhekaj: Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë

shendetesi

Radiologu Ilir Ahmetxhekaj ka folur për zhvillimet e fundit në radiologji, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndikimin e teknologjisë moderne në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve, duke theksuar se, pavarësisht avancimit të inteligjencës artificiale dhe aparaturave të reja, roli i radiologut mbetet vendimtar në vendosjen e diagnozës. Në episodin e 80-të të podcastit “Shëndeti […]

Madhësia e shkronjave

Radiologu Ilir Ahmetxhekaj ka folur për zhvillimet e fundit në radiologji, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndikimin e teknologjisë moderne në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve, duke theksuar se, pavarësisht avancimit të inteligjencës artificiale dhe aparaturave të reja, roli i radiologut mbetet vendimtar në vendosjen e diagnozës.

Në episodin e 80-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, Ahmetxhekaj tha se pikërisht zhvillimi i radiologjisë moderne e ka motivuar ta zgjedhë këtë profesion.

“Më impresionoi mënyra diagnostike radiologjike. Me ardhjen e teknologjive të reja, radiologjia kaloi në një nivel krejt tjetër dhe sot është bërë lëmia diagnostike më e avancuar në mjekësinë moderne”, u shpreh ai.

Duke folur për rëndësinë e ekzaminimeve radiologjike, ai theksoi se një nga përparësitë më të mëdha të radiologjisë është zbulimi i sëmundjeve në fazat e hershme, edhe para se pacienti të ketë simptoma.

“Radiologjia nuk bën vetëm diagnostikimin. Ajo i zbulon sëmundjet në një fazë shumë të hershme, kur ato mund të trajtohen dhe të parandalohet një përfundim fatal për pacientin”, tha Ahmetxhekaj.

Sipas tij, zhvillimet teknologjike, përfshirë inteligjencën artificiale, kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e imazheve dhe kanë shkurtuar kohën e ekzaminimeve, sidomos në rezonancën magnetike.

“Integrimi i inteligjencës artificiale na mundëson të marrim imazhe me cilësi shumë të lartë, ta shkurtojmë kohën e ekzaminimit dhe ta bëjmë qëndrimin e pacientit shumë më komod”, deklaroi radiologu.

Megjithatë, ai theksoi se teknologjia nuk mund ta zëvendësojë përvojën profesionale të radiologut.

“Asnjë zhvillim teknologjik dhe as inteligjenca artificiale nuk e zëvendësojnë ekspertizën radiologjike. Është e kotë të kesh teknologjinë më të mirë nëse interpretuesi nuk është në nivelin e duhur për ta analizuar atë imazh”, u shpreh Ahmetxhekaj.

Një mesazh të rëndësishëm ai pati edhe për pacientët që kërkojnë përgjigje të menjëhershme pas ekzaminimeve.

“Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë, por diagnostikimi i ngutshëm mund ta dëmtojë shëndetin. Radiologut i duhet koha e nevojshme për ta analizuar çdo imazh në detaje dhe për të dhënë një raport të saktë”, tha ai.

Ahmetxhekaj u bëri thirrje pacientëve të mos përpiqen t’i interpretojnë vetë raportet radiologjike apo të mbështeten në informacionet që gjejnë në internet.

“Raporti i radiologut i drejtohet mjekut që e ka udhëzuar ekzaminimin. Pacientët nuk duhet ta vetëinterpretojnë atë, por ta diskutojnë me mjekun e tyre, i cili e njeh historinë klinike dhe mund ta vendosë raportin në kontekstin e duhur”, tha ai.

Duke folur për frikën nga rrezatimi, radiologu sqaroi se jo të gjitha metodat radiologjike kanë të njëjtin profil sigurie.

“Rezonanca magnetike nuk përdor rrezatim jonizues dhe konsiderohet metodë e sigurt. Ndërsa rrezet X dhe tomografia e kompjuterizuar përdorin rrezatim, por aplikohen vetëm kur përfitimi për pacientin është më i madh se rreziku”, theksoi Ahmetxhekaj.

Ai shtoi se simptomat nuk duhen neglizhuar, pasi ato janë sinjalet e para që organizmi jep kur diçka nuk shkon.

“Çdo simptomë që nuk është e zakonshme duhet të jetë arsye për t’u konsultuar me mjekun. Neglizhimi i tyre mund të nënkuptojë humbje të kohës së çmuar për trajtim”, tha radiologu.

Në fund të bisedës, Ahmetxhekaj ndau edhe filozofinë që e udhëheq në profesionin e tij, duke e përshkruar radiologjinë si shumë më tepër sesa interpretim i imazheve.

“Kur shoh një imazh, nuk shoh thjesht një fotografi. Shoh një individ, shoh një familje dhe shoh një shpresë. Mundohem të jap diagnostikimin më të mirë të mundshëm, sepse pas çdo ekzaminimi është jeta e një njeriu”, përfundoi ai. /Telegrafi/