Cristiano Ronaldo zhvilloi të hënën ndeshjen e tij të fundit në Kupën e Botës 2026 me Portugalinë, ndërsa pas eliminimit nga Spanja foli për të ardhmen e tij me ekipin kombëtar, pa konfirmuar nëse do të vazhdojë apo jo.
Kapiteni portugez kujtoi sukseset e arritura me fanellën e Portugalisë, duke e cilësuar triumfin në Euro 2016 si arritjen më të madhe të karrierës së tij me kombëtaren.
“Do të zgjohem nesër ashtu siç u zgjova sot: me ndërgjegje të pastër. Kam luajtur 23 vjet për ekipin kombëtar dhe kam fituar tre trofe. Para Cristiano Ronaldos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë trofe”.
“Kampionati Evropian ishte më i rëndësishmi. Për mua, triumfi në vitin 2016 ka të njëjtën vlerë si fitimi i Kupës së Botës”, deklaroi Ronaldo në zonën mix.
I pyetur nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit me Portugalinë, 41-vjeçari nuk dha një përgjigje përfundimtare, duke lënë të kuptohet se vendimi do të merret në një moment tjetër.
“Nuk marr vendime në moment të nxehtë. Tani për tani, nuk ka rëndësi nëse vazhdoj apo jo”, u shpreh ai.
Ronaldo pati edhe fjalë vlerësuese për përzgjedhësin Roberto Martínez, duke e falënderuar për kontributin e tij te kombëtarja portugeze.
“Më pëlqeu shumë të punoja me trajnerin Roberto. Ai është një qenie njerëzore e shkëlqyer dhe një trajner i shkëlqyer. Ai fitoi një titull për Portugalinë dhe unë kurrë nuk do ta harroj këtë. Jam shumë mirënjohës për gjithçka që i dha Portugalisë”, përfundoi sulmuesi portugez. /Telegrafi/






