Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se qeveria shqiptare mund të shpallë persona të tjerë “non grata”, nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Në një intervistë për “Euronews Albania” të shtunën, Lamallari ka thënë se në tryezën e tij mbërrijnë vazhdimisht kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe se institucionet do të vazhdojnë të veprojnë pa u ndikuar nga presioni publik apo debatet politike.
“Çdo javë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite”, ka thënë Lamallari.

Ai theksoi se personat që mund të përballen me masa të tilla mund të jenë të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo veprime që, sipas autoriteteve, cenojnë sigurinë e vendit.
Ministri shtoi se pjesëmarrja e këtyre personave në protesta apo aktivitete publike nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.
“Nuk do të stepemi. Detyra jonë është të zbatojmë ligjin pikë për pikë dhe të mbrojmë qytetarët shqiptarë, pa u ndikuar nga presioni publik apo gjykimet e ndryshme”, deklaroi ai.
Dy ditë më parë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “person të padëshiruar” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Huduti.
Huduti kishte marrë pjesë në protestat që po mbahen kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, ndërsa autoritetet shqiptare e kanë akuzuar se ajo është e infiltruar nga Irani.
Protestat që nisën si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec të Vlorës gati një muaj më parë, me kalimin e ditëve janë shndërruar në protesta me kërkesa politike, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.





